Insajderi
Lajme

Ky është turku që u arrestua sot në Prishtinë, kërkohej nga INTERPOL-i

Insajderi
14 July 2026 - 16:27
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ky është turku që u arrestua sot në Prishtinë, kërkohej nga INTERPOL-i
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një shtetasi turk, i cili kërkohej nga INTERPOL-i me letër-rreshtime ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e Malit të Zi dhe Turqisë.

“Po ashtu me datën e njëjtë, në Prishtinë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit të PK-së ka bërë arrestimin e shtetasit turk pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Malit të Zi dhe ato të Turqisë për veprat të ndryshme penale “Mashtrim, Shmangie nga tatimi dhe Falsifikim i dokumenteve zyrtare””, u tha në njoftimin e PK’së.

Gazeta Insajderi ka marrë vesh se personi i arrestuar është Murat Demirtepe.

Të njëjtat burime i kan bërë të ditur Insajderi se Demirtepe dyshohet për mashtrim në Kosovë, Gjermani e Turqi.

Me urdhër të prokurorit kompetent, Policia tha se i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa procedurat e tjera ligjore do të vazhdojnë sipas legjislacionit në fuqi.

Demirtepe në nëntor të vitit të kaluar ishte arrestuar gjatë një operacioni të gjerë në Kosovë, i cili bënte pjesë në një grup kriminal. Grupi dyshohet se merrej me rregullimin e dokumenteve fiktive për pajisjen e shtetasve turq me lejeqëndrimi në Kosovë.

Sipas burimeve Insajderit brenda ekipit të hetimit, dy personat kryesorë të dyshuar si drejtues të këtij grupi ishin Murat Demirtepe dhe Ihsan Kiliç. Këta persona figurojnë si pronarë të bizneseve të ndryshme të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Bizneset e tyre funksiononin nën petkun e “zyrave të ndërmjetësimit” për punësimin e të huajve. Skema funksiononte duke sjellë shtetas nga Turqia, shumë prej të cilëve raportohet se kishin të kaluar kriminale në vendin e tyre të origjinës.

Përmes dokumenteve të falsifikuara, këta shtetas regjistroheshin me kontrata pune në kompani fiktive në Kosovë. Më pas, ata aplikonin për lejeqëndrimi me qëllim punësimi.

Dokumentacioni shpesh i referohej punësimit në kompani të njohura si “Wolt”, por edhe në biznese të tjera të cilat, sipas hetimeve, ishin thjesht “në letër” – të regjistruara në ARBK, por pa ushtruar asnjë aktivitet real ekonomik.

Përveç manipulimit me lejeqëndrimi, dyshimet rëndojnë se grupi arrinte të falsifikonte edhe patentë shoferët e Republikës së Kosovës për klientët e tyre. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark