Insajderi
Lajme

A gënjeu Thaçi i Vetëvendosjes? Prokuroria e ftoi si të dyshuar, ai tha që ishte dëshmitar

Insajderi
15 July 2026 - 14:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
A gënjeu Thaçi i Vetëvendosjes? Prokuroria e ftoi si të dyshuar, ai tha që ishte dëshmitar
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Sot në orët e paradites është intervistuar nga Prokuroria Speciale kryetari i Komunës së Obiliqit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi. Mirëpo, deklaratat e tij pas intervistimit bien në kundërshtim të plotë me versionin zyrtar të Prokurorisë.

Kur doli para mediave, Thaçi u shpreh i sigurt se ishte ftuar vetëm për të ndihmuar hetimin me dëshminë e tij.

“Jam intervistuar si dëshmitar për çështjen e disa shpronësimeve…”, deklaroi ai mes tjerash para gazetarëve.

Megjithatë, ky version është rrëzuar nga vetë Prokuroria Speciale.

Në një përgjigje zyrtare për Insajderin, prokuroria ka konfirmuar se statusi ligjor i Thaçit në këtë proces nuk është ai i dëshmitarit, por i të pandehurit që nënkupton se ai është zyrtarisht nën hetim si i dyshuar për kryerjen e një vepre penale.

“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrim ndikimi’“, ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Arbnora Luta për Insajderin.

Ndryshimi mes dy cilësive është thelbësor: përderisa dëshmitari thirret vetëm për të treguar atë që di për një ngjarje pa pasur asnjë akuzë mbi vete, statusi i të “pandehurit” konfirmon se Prokuroria tashmë ka nisur hetime zyrtare penale drejtpërdrejt ndaj kryetarit të Obiliqit për dyshimet rreth shpronësimeve në Shipitullë.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark