Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit Butrint Krasniqi, shkruan Insajderi.
Krasniqi u arrestua mbrëmë pasi plagosi me armë zjarri Suad Kelmendin, 46-vjeç duke i shkaktuar plagë.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Masa e paraburgimit prej 30 ditësh, do t’i llogaritet nga momenti i arrestimit të tij më 14.07.2026 dhe do të zgjasë deri më 13.08.2026.
Seanca dëgjimore u mbajt më datë 15.07.2026 në orën 10:00, në prani të Prokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, të pandehurit Butrint Krasniqi dhe mbrojtësit të tij të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatit Gani Kelmendi.
Sipas dyshimeve të para, incidenti i rëndë ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të çastit në Pejë, ku i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pas një kërkimi intensiv nga ana e Policisë së Kosovës dhe bastisjes së shtëpisë së tij (ku u gjetën municione të ndryshme), i dyshuari u vetëdorëzua në organet e rendit.
Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, për të parandaluar rrezikun e ikjes, ndikimin në dëshmitarë apo përsëritjen e veprës penale.
/Insajderi