FIFA pritet të ndryshojë një nga rregullat më tradicionale të futbollit gjatë finales së Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet të dielën në “MetLife Stadium” në New Jersey.
Pas nisjes së fazës së gjysmëfinaleve të turneut të parë në histori me 48 kombëtare, finalja e madhe e Botërorit do të sjellë një risi që nuk është parë më parë në një finale të Kupës së Botës.
Kupa e Botës 2026 ka sjellë një sërë ndryshimesh dhe risish, duke nisur nga ceremonitë e reja para ndeshjeve, pauzat për hidratim dhe ndryshimet në rregullat që lidhen me arbitrimin.
Por risia më e madhe pritet të jetë organizimi, për herë të parë në histori, i një spektakli muzikor gjatë pushimit mes dy pjesëve të finales së Kupës së Botës.
Duke ndjekur modelin e famshëm të Super Bowl në NFL, FIFA do të organizojë një shfaqje muzikore 11-minutëshe gjatë intervalit, ku pritet të marrin pjesë disa nga artistët më të njohur në botë.
Justin Bieber, Shakira, Burna Boy, Madonna dhe BTS janë disa prej emrave të mëdhenj që do të jenë pjesë e këtij spektakli, i cili po organizohet nga Chris Martin, vokalisti i grupit Coldplay.
Në këtë shfaqje do të përfshihen edhe personazhe të njohura nga “Sesame Street” dhe “The Muppets”.
Megjithatë, ky organizim bie ndesh me një nga rregullat më të vjetra të futbollit, sipas të cilit pushimi mes dy pjesëve të një ndeshjeje duhet të zgjasë 15 minuta.
Rregullorja e IFAB (International Football Association Board) përcakton se kohëzgjatja e pushimit “mund të ndryshohet vetëm me lejen e arbitrit”.
Edhe pse performanca muzikore do të zgjasë rreth 11 minuta, nevojitet kohë shtesë për montimin dhe çmontimin e skenës në fushë, gjë që pritet ta zgjasë ndjeshëm intervalin.
FIFA ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht kohëzgjatjen e pushimit, por sipas “The Athletic”, duke cituar burime të afërta me organizimin, synimi është që pushimi të zgjasë rreth 20 minuta.
Ndërkohë, “The Times” raporton se intervali mund të shkojë deri në 30 minuta dhe se transmetuesit britanikë “ITV” dhe “BBC” pritet ta transmetojnë të plotë spektaklin.
Një shfaqje e ngjashme ishte organizuar edhe në finalen e Kupës së Botës për Klube vitin e kaluar, po në “MetLife Stadium”, gjatë fitores 3-0 të Chelseat ndaj Paris Saint-Germain.
Në atë rast, pushimi mes pjesëve zgjati 24 minuta, në mënyrë që Doja Cat, Tems dhe J Balvin të performonin në tribunat e stadiumit.
Edhe finalja e Copa America 2024 u shoqërua me një spektakël të tillë, ku Shakira performoi gjatë pushimit mes pjesëve në “Hard Rock Stadium”. Për shkak të kësaj, Argjentina dhe Kolumbia qëndruan 26 minuta në dhomat e zhveshjes.
Spektakli i parë i këtij lloji në një finale të Kupës së Botës pritet të tërheqë një audiencë gjigante në të gjithë botën.
Ashtu si në Super Bowl, artistët nuk do të paguhen për performancat e tyre.
Sipas “The Athletic”, emra si Justin Bieber dhe Shakira nuk do të marrin honorare, pasi eventi organizohet në bashkëpunim me organizatën bamirëse Global Citizen.
Fondi FIFA Global Citizen Education Fund synon të mbledhë 100 milionë dollarë për zgjerimin e qasjes në arsim cilësor dhe sport për fëmijët në mbarë botën, si pjesë e programit “Football for Schools”.
Gjithashtu, Shakira ka bërë të ditur se 500 mijë dollarë do të dhurohen për fëmijët në Venezuelë pas tërmeteve të fundit që goditën vendin.
Përveç spektaklit gjatë pushimit, finalja do të shoqërohet edhe me një ceremoni mbyllëse ku do të performojnë Robbie Williams, Laura Pausini, Nicole Scherzinger dhe IShowSpeed, i cili ka qenë i pranishëm në disa ndeshje të këtij Botërori përmes transmetimeve të tij.
Ndërkohë, aktori i njohur hollivudian Tom Cruise do të ketë një paraqitje speciale, ndërsa Jennifer Hudson do të interpretojë himnin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.