Insajderi
Hulumtime/Analiza

Auditori gjen parregullsi serioze me pronat në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela të paregjistruara

Insajderi
16 July 2026 - 13:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Auditori gjen parregullsi serioze me pronat në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela të paregjistruara
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar mangësi të shumta në menaxhimin e pasurive të Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh.A., duke konstatuar se kompania nuk ka arritur të regjistrojë në mënyrë të plotë asetet e saj dhe nuk disponon dokumentacion mbështetës për pasuri në vlerë prej rreth 25 milionë euro..

Sipas raportit të auditimit, këto mangësi kanë bërë që pasuritë e paluajtshme dhe të dhënat përkatëse të mos paraqiten në mënyrë të plotë dhe të saktë në pasqyrat financiare, duke hedhur dyshime në besueshmërinë e raportimit financiar.

Auditorët kanë identifikuar një sërë dobësish në administrimin e pasurive të Trepçës. Ndër to, ndërmarrja nuk ka siguruar dokumentacionin burimor për 59 pasuri, me vlerë të përgjithshme prej 24,755,994 euro.

Raporti evidenton gjithashtu se Njësia Kopaonik-Leposaviq nuk ka pasqyruar në pasqyrat financiare 668 parcela, me sipërfaqe prej 309 hektarësh, ndonëse ato janë evidentuar nga Komisioni i Inventarizimit.

Po ashtu, auditorët kanë identifikuar 107 parcela në njësinë biznesore Miniera Kopaonik-Leposaviq (Zona Kadastrale Zveçan), të cilat sipas të dhënave kadastrale figurojnë si pronë e ndërmarrjes, por nuk janë regjistruar në regjistrin e pasurive të njësisë.

Një tjetër gjetje lidhet me mungesën e një databaze të plotë dhe të detajuar për banesat e dhëna në shfrytëzim punonjësve. Sipas auditimit, përmes zyrës ligjore janë evidentuar 236 kërkesa nga punonjësit për blerjen e këtyre banesave.

Në analizën e regjistrit të parcelave të pranuara nga Trepça Sh.A., auditorët kanë konstatuar edhe 129 parcela, me vlerë 33,907,680 euro, të cilat në regjistra figurojnë si pronësi e vetme e Trepçës, ndërsa në evidencat kadastrale paraqiten si bashkëpronësi. Për një pjesë të këtyre parcelave është regjistruar kategori e pronësisë shoqërore, gjë që sipas raportit krijon paqartësi lidhur me të drejtat pronësore të ndërmarrjes mbi këto asete.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark