Insajderi
Lajme

“Si të thuash që Hitleri ishte zgjidhja më e mirë” – Eurodeputeti çek i reagon ministres serbe: Të përjashtohet Serbia nga negociatat me BE-në

Insajderi
16 July 2026 - 17:31
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Si të thuash që Hitleri ishte zgjidhja më e mirë”  – Eurodeputeti çek i reagon ministres serbe: Të përjashtohet Serbia nga negociatat me BE-në
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Eurodeputeti çek, Tomáš Zdechovský, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe duke kërkuar pasoja në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

Zdechovský tha se ishte i tronditur nga ajo që dëgjoi nga ministrja serbe, duke theksuar se retorika e saj është e papajtueshme me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

“Isha plotësisht i shokuar nga ajo që dëgjova nga ministrja e Serbisë. Nuk ishte vetëm tronditje, por diçka krejtësisht e papranueshme. Nëse kjo grua është vërtet ministre, ne duhet ta nxjerrim Serbinë nga negociatat”, deklaroi eurodeputeti çek.

Ai e krahasoi deklaratën e Paunoviqit me relativizimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.

“Është sikur dikush, pasi viziton Aushvicin pas Luftës së Dytë Botërore, të thotë se Hitleri ishte zgjidhja më e mirë për çështjen hebraike. Kjo është plotësisht e papranueshme”, u shpreh Zdechovský.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të japë një mesazh të qartë se askush që përdor një retorikë të tillë nuk mund të bëhet pjesë e bllokut evropian.

“Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë: askush me këtë lloj retorike nuk do t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

Deklaratat e Zdechovskýt vijnë pas reagimeve të shumta ndërkombëtare ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila është kritikuar gjerësisht për deklaratat e saj lidhur me Kosovën, të cilat janë cilësuar si nacionaliste dhe nxitëse.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark