Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Ambroz Përlazerit për dy vepra penale të parashikuara me Kodin Penal: “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 7 shtator 2015, në Prizren, Ambroz Përlazeri, në bashkëkryerje me tashmë të dënuarin Bernard Përlazeri (B.P.), i shtyrë nga qëllimi për përfitim pasuror, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të Hekuran Morinës, vëllait të tij Fadil Morina dhe B.H.
Si pasojë e të shtënave, Hekuran Morina humbi jetën, Fadil Morina pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa B.H. mori lëndime të lehta, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti tashmë i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në masën e paraburgimit.
Për të njëjtin rast, në mars të vitit 2018, Bernard Përlazeri, i cili akuzohej për vrasjen e Hekuran Morinës, u dënua nga Gjykata Themelore në Prizren me një dënim unik prej 22 vjetësh burgim efektiv.