Insajderi
Lajme

Ekskluzive/ Ky është personi që u arrestua me drogë, çka thuhet në dosjen e Prokurorisë së Pejës?

Insajderi
17 July 2026 - 22:59
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ekskluzive/ Ky është personi që u arrestua me drogë, çka thuhet në dosjen e Prokurorisë së Pejës?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një person është arrestuar sot nën dyshimin për vepra penale që kanë të bëjnë me lëndët narkotike. Gazeta Insajderi mëson nga burime se i dyshuar për këtë rast është Mirlind Maksutaj.

Ndaj të njëjtit tashmë, Prokuroria Themelore ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit i dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Dosja e prokurorisë, si u kap nga policia Mirlind Maksutaj?

Sipas dosjes së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën po hetohet dhe se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit.

Dyshimi, sipas dosjes që ka siguruar Insajderi, mbështetet në raportin policor për kontrollin dhe sekuestrimin pa urdhër të gjykatës, procesverbalet e kontrollit, fotografitë e provave, si dhe dokumentacionin tjetër hetimor.

Sipas dosjes, gjatë kontrollit janë sekuestruar 34 qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, tetë qese të tjera me të njëjtën substancë, 370 euro para të gatshme dhe një telefon mobil.

Masa e paraburgimit është propozuar edhe për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit në procedurën penale dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Çka sekuestroi policia gjatë veprimeve hetimore?

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, i dyshuari më 16 korrik 2026, pas orës 20:00, në fshatin Isniq të Deçanit, dyshohet se ka shitur dhe poseduar për shitje substancë narkotike të llojit kokainë.

Aty thuhet se ai dyshohet se kishte ndarë narkotikun në 44 qese me qëllim shitjeje, ndërsa rreth një gram kokainë, të ndarë në dy qese, ia kishte shitur një personi, i cili më pas ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në drejtim të Gjakovës, ku edhe ishte gjetur substanca e dyshuar narkotike.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, pasi kishte vërejtur zyrtarët policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, kishte tentuar të largohej dhe ta hidhte narkotikun afër lokalit ku punonte, por ai ishte gjetur dhe sekuestruar nga hetuesit.

Në aktvendim thuhet se gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 34 qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të vendosura në një kuti plastike, tetë qese të tjera të mbështjella me foli alumini, 370 euro para të gatshme, si dhe një telefon mobil.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka analizuar raportet policore, procesverbalet e kontrollit dhe sekuestrimit, fotografitë e provave, si dhe dokumentacionin tjetër të lëndës.

Po ashtu nga të dhënat e Policisë së Kosovës rezulton se i dyshuari figuron i përfshirë në 12 raste të ndryshme penale si i dyshuar, prej të cilave katër lidhen me vepra penale kundër narkotikëve.

“Nga analizimi i këtyre shkresave konsideroj se është e nevojshme që të fillohen hetimet pasi që nga provat e parashtruara rrjedh dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e këtij aktvendimi”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë. /insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark