Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit me inicialet Sh.H., duke e shpallur fajtor për dy vepra penale të vjedhjes së rëndë dhe një vepër penale të vjedhjes së rëndë në tentativë, që lidhen me vjedhjen në argjendari në Prizren, e ndodhur në janar të vitit 2025.
Sipas njoftimit të gjykatës, i akuzuari është dënuar me shtatë vjet burgim, si dhe me 2 mijë euro gjobë.
Sipas aktgjykimit, më 12 janar 2015, pas mesnatës, Sh.H., në bashkëkryerje me një shtetas bullgar, të maskuar dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, kanë depërtuar me forcë në një argjendari në Prizren. Ata kanë hapur kasafortën dhe kanë marrë rreth 3 kilogramë ari 14 karatësh, një kilogram argjend, monedha ari, stoli dhe sende të tjera, duke i shkaktuar pronarit dëm material në vlerë prej 195 mijë eurosh.
Po atë natë, sipas gjykatës, dy të akuzuarit kanë tentuar të kryejnë vjedhje edhe në një argjendari tjetër në Prizren, por nuk kanë arritur ta hapin kasafortën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, më 23 janar 2025, Sh.H. është shpallur fajtor edhe për një tjetër vjedhje të rëndë, pasi kishte hyrë me forcë në një objekt dhe kishte marrë një modem interneti, një DVR dhe kishte dëmtuar kabllot e sistemit të kamerave të sigurisë.
Gjykata ka urdhëruar të akuzuarin që t’ia kompensojë të dëmtuarit dëmin material prej 195 mijë eurosh. Nëse kjo nuk realizohet, do të konfiskohen pasuritë e ngrira të tij me vlerë të barasvlershme, të cilat do të shiten përmes ankandit publik nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, ndërsa mjetet e përfituara do t’i kalojnë të dëmtuarit si kompensim.
Sipas vendimit, në mesin e pasurive të ngrira përfshihen një apartament prej 117 metra katrorë dhe katër automjete.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që masa e paraburgimit ndaj Sh.H. të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. /Insajderi.org/