Insajderi
Lajme

Flet pronari i kompanisë që iu ndalën punimet nga Inspektorati: Mungonte vetëm një radhë skelash

Insajderi
21 July 2026 - 14:27
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Flet pronari i kompanisë që iu ndalën punimet nga Inspektorati: Mungonte vetëm një radhë skelash
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një objekt ndërtimi pranë objektit të Postës në Fushë Kosovë, pas raportimit të Gazetës Insajderi për mungesën e masave të sigurisë në vendin e punës.

Insajderi publikoi pamje nga objekti, ku vërehej se punimet po kryheshin pa skela mbrojtëse në pjesët e jashtme të objektit.

Pas raportimit, Inspektorati Qendror i Punës njoftoi se më 20 korrik 2026 inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë kryer inspektim në subjektin në fjalë.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë inspektimit janë konstatuar shkelje të dispozitave të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, të cilat paraqesin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

“Për shkak të rrezikut të konstatuar, Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe përmbushjen e kërkesave ligjore për një mjedis të sigurt pune”, thuhet në njoftimin e institucionit.

Lidhur me rastin ka folur për Insajderin edhe Bashkim Kluna, pronar i kompanisë Kluna Bau SHPK, i cili tha se problemi kishte të bënte vetëm me mungesën e një radhe skelash, ndërsa theksoi se vendimi i Inspektoratit do të respektohet.

“E ka ba dikush një foto, demeke punëtorët janë duke punuar pa pajisje mbrojtëse. Nuk e kam pas një rend me skele, kurgja tjetër. Krejt sot janë të kryera se vetëm njëra skele ka munguar me vendos edhe sen. Punimet për me i ngjit skelet sot i kemi kry, ndërsa punimet në objekt i kemi të ndaluara derisa të vijnë Inspektoriati me i kqyr a i kemi montuar skelet. Patjetër që kemi me respektu vendimin e Inspektoriatit, nuk kemi asgjë të keqe ndaj Inspektoriatit, amo nuk ka qenë puna për me qit në media, se nuk ka qenë objekti pa skele, rrethojën e ka, krejt senet i ka. Vetëm për një rend skelet i kanë ndalë punimet.

I respektojna rregullat, po është puna që nuk varet krejt prej neve, se na e kem kontratën me një kompani që na i monton skelet. Tash, për shembull, unë e kam thirrë prej javës që është shku prej të ejtes, hajde, hajde, po qe vi sot, qe vi nesër. Për dje ka pas me ardh, nuk erdh, qe sot është këtu tuj i montu skelet.

Veç një rend skele ka munguar, nuk ka qenë shumë rrezik mu rrëzu punëtori, mos e boft Zoti, ai ish nal në skele qaty. Një rend skele ka munguar edhe kanë pas arsye. Inspektoriati masi u ardh tha duhet me montu këtë rend, i thashë në rregull, nesër e montojmë, kryhet kjo punë. Nuk kemi asgjë të keqe ndaj Inspektoriatit, ne jemi për me u kanë ata”, ka deklaruar Bashkim Kluna pronar i kompanisë Kluna Bau SHPK, për Insajderin. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark