Fshati Ratkoc do të jetë nikoqir i edicionit të parë të turneut në futboll të vogël “Ratkoci nderon dëshmorët”, një aktivitet sportiv i organizuar në kohën e ardhjes së bashkatdhetarëve dhe që pritet të mbledhë skuadra nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe diasporës.
Në këtë turne do të marrin pjesë 64 skuadra nga vise të ndryshme, ndërsa fillimi i garës është planifikuar më 25 korrik, në ora 20:00. Shorti për ndarjen e skuadrave është hedhur sot.
“Ideja për organizimin e këtij turneu ka ardhur nga të rinjtë e fshatit Ratkoc, me qëllim të nderimit të dëshmorëve, por edhe duke ndjekur trendin e turneve të futbollit të vogël që po organizohen gjithandej në Kosovë. Hapjen e turneut do ta bëjnë ish-veteranët e KF Ratkocit, si dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I gjithë organizimi është bërë falë mbështetjes së sponsorëve dhe donatorëve të ndryshëm, të cilët brenda më pak se një jave kanë arritur të sigurojnë mjetet e nevojshme për realizimin e këtij turneu”, ka deklaruar për Insajderin Shani Hoti nga këshilli organizativ i turneut.
Çmimet për ekipet më të suksesshme janë:
Vendi i parë: 5,250 euro
Vendi i dytë: 1,150 euro
Turneu pritet të zgjasë deri më 10 gusht, ndërsa në finalen e madhe organizatorët presin pjesëmarrjen e dy kombëtareve të futbollit për të amputuar, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.