Arsenali vazhdon të konsiderohet favoriti kryesor për transferimin e Nico Williams, megjithëse gara për yllin e Athletic Bilbaos është bërë edhe më e fortë.
Sipas gazetarit Ekrem Konur, edhe Liverpooli është përfshirë tashmë në garë për reprezentuesin spanjoll. Klubi nga “Anfield” po e monitoron nga afër situatën e tij dhe po shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit gjatë këtij afati kalimtar.
Williams ka një klauzolë lirimi prej 90 milionë eurosh, një shifër që e bën marrëveshjen të kushtueshme, por ende të përballueshme për klubet më të mëdha të Premier League.
Nga ana tjetër, drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, po vazhdon përpjekjet për të mbyllur operacionin. “Topçinjtë” kanë intensifikuar kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit, pasi dështuan në përpjekjen për të transferuar Morgan Rogers, i cili vendosi t’i bashkohet Chelseat.
Nëse ky transferim realizohet, Nico Williams do të ishte një nga afrimet më të bujshme të verës në futbollin anglez. Tashmë mbetet të shihet nëse Arsenali do të arrijë ta ruajë epërsinë ndaj Liverpoolit në garën për firmën e 24-vjeçarit.