Insajderi
Lajme

Inspektorati zbulon shkelje serioze në “Human Plus”, poliklinika gjobitet me 3 mijë euro për staf të palicencuar dhe shërbime ilegale

Insajderi
24 July 2026 - 22:15
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Inspektorati zbulon shkelje serioze në “Human Plus”, poliklinika gjobitet me 3 mijë euro për staf të palicencuar dhe shërbime ilegale
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Veprimtaria e shumë institucioneve private shëndetësore në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë për institucionet, pasi një pjesë e tyre operojnë në kundërshtim me ligjin, duke ofruar shërbime të palicencuara dhe duke angazhuar staf pa licencim, çka paraqet rrezik për shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Sipas një vendimi të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, të siguruar nga Veriu.info, poliklinika “Human Plus” Sh.P.K. në Prishtinë është gjobitur me 3 mijë euro për shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi, pasi ka ofruar shërbime shëndetësore me staf të palicencuar, ka lëshuar analiza laboratorike pa nënshkrimin e biokimistit dhe ka kryer edhe shkelje të tjera të rënda.

Në arsyetimin e vendimit, që mban datën 7 maj 2026, thuhet se gjatë inspektimit në “Human Plus” është konstatuar se ofroheshin tri shërbime mjekësore të palajmëruara dhe të palicencuara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shërbimet që, sipas inspektoratit, funksiononin pa licencim ishin Mjekësia Familjare, Pediatria dhe ORL-ja.

Përveç kësaj, inspektorët kanë konstatuar se në mënyrë të paligjshme punonin edhe këta profesionistë shëndetësorë:

Dr. Fatime Muslim Gashi – specialiste e Mjekësisë Familjare;

Dr. Arbnora Këpuska – specialiste e Pediatrisë-Reumatologjisë;

Dr. Xhevdet Gojnovci – neonatolog;

Dr. Flamur Uka – specialist i ORL-së;

Festa Zylfiu – BSc. teknik i laboratorit;

Bashkim Nuhiu – teknik laborant;

Rinesa Sopjani – BSc. në infermieri.

Sipas vendimit, asnjëri prej tyre nuk ishte i lajmëruar dhe i regjistruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë, që është kusht ligjor për ushtrimin e profesionit në një institucion shëndetësor.

Inspektorati Shëndetësor ka konstatuar gjithashtu se aparatura laboratorike ishte në funksion dhe se ishin kryer analiza laboratorike, por ishin evidentuar analiza të lëshuara në emër të biokimistit, të vulosura me vulën zyrtare të institucionit, por pa faksimil dhe pa nënshkrimin e tij. Sipas gjetjeve, këto analiza rezultonin të përpunuara dhe të raportuara në periudhën kur biokimisti nuk ishte i pranishëm në vendin e punës.

Gjatë kontrollit janë konstatuar edhe shkelje të tjera. Inspektorët kanë gjetur një numër të konsiderueshëm reagentësh me afat të skaduar, në kundërshtim me nenin 13, paragrafi 2, të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi.

“Po ashtu gjatë kontrollit të hapësirës së laboratorit mikrobiologjik u gjetën produkte dhe materiale laboratorike me afat të skaduar. Gjatë inspektimit u konstatua se antishokterapia ishte e pakompletuar, duke mos përmbushur kushtet e kërkuara për ofrimin e reagimit adekuat në situata emergjente”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Shëndetësor.

Në fund të vendimit thuhet se Institucioni Privat Shëndetësor “Human Plus ShPK” – Prishtinë ka shkelur dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 42, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, shkelje e sanksionuar me nenin 94 të të njëjtit ligj, të plotësuar dhe ndryshuar me nenin 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 të Ligjit Nr. 08/L-048 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi.

Çfarë thotë “Human Plus”?

Veriu.info ka publikuar edhe qëndrimin e “Human Plus” lidhur me gjobën dhe gjetjet e Inspektoratit Shëndetësor pas inspektimit të kryer më 15 prill.

Nga kjo poliklinikë është thënë se të nesërmen pas inspektimit janë ndërmarrë masa dhe se çdo vërejtje është trajtuar me përgjegjësi.

“Qëndrimi ynë rreth gjobës ndaj nesh konsiderojmë që është i shpejtuar dhe shumë i lartë, pasi që nuk kanë marrë për bazë atë çfarë kemi thënë ne, duke treguar një për një arsyet e çdo vendimi dhe konkludimi të tyre. Është e ditur mirëfilli që Poliklinika jonë ka qenë dhe mbetet e përkushtuar dhe e përgjegjshme duke zbatuar me përpikmëri të gjitha dispozitat ligjore dhe duke zbatuar etikën profesionale në të mirë të pacientëve tanë”, kanë deklaruar nga “Human Plus” për Veriu.info.

Sa i përket shtatë profesionistëve që, sipas inspektoratit, punonin pa regjistrim, “Human Plus” ka komentuar vetëm rastin e Dr. Arbnore Batalli Këpuskës.

“Është për të ardhur keq me quajtur Dr Arbnore Batalli Kepuska, që ka punuar në mënyrë ilegale kur Human Plus me vite e ka pas të liqencuar drejtimin e Pediatrisë dhe për pak kohë ka skaduar data e riliqencimit të cilin ne e kemi bërë kërkesën për riliqencim. Ka pas probleme në sistem të Ministrisë së Shëndetësisë. Sa i përket mjekësisë familjare ne deri këtë vit nuk kemi pas të liqencuar drejtimin, ku këtë vit kemi vendosor të bëjmë liqencimin e këtij drejtimi ngase ka kërkesë për mjekë familjarë dhe Dr Fatime ka sjellë liqencën që ne të vazhdojmë me procedim të liqencimit, kuptohet fillimisht si punë testuese, pa asnjë efekt financiar. Me përgjegjësi të plotë ju themi se në asnjë mënyrë nuk kemi rrezikuar shëndetin e pacientit duke përdorë reagjentë me skadencë, por si duket veshi i tyre ishte i shurdhët për të na dëgjuar sqarimet tona se në reagentët e skaduar të mikrobiologjisë ishte lista me mbishkrimin ‘Reagjentë me skadencë’, kurse tek reagentët për biokimi nuk ka pas listë me shënim të tillë, por vendi (sirtari) ku ato me skadencë qëndrojnë – për ne stafin është fort mirë i ditur dhe nuk përdoren. Sa i takon antishok-terapisë, na ka munguar vetëm një ampulë e adrenalinës, sepse e kemi huazuar te një klinikë në afërsi me kërkesë të tyre dhe nuk është rivendosur po të njëjtën ditë, për çka janë njoftuar me shkrim inspektorët”, thuhet në reagimin e “Human Plus”.

Sipas Veriu.info, në këtë përgjigje nuk janë paraqitur dëshmi që demantojnë gjetjet e Inspektoratit Shëndetësor.

Kush është “Human Plus”?

“Human Plus” është kompani e themeluar në Prishtinë në vitin 2011, me aktivitet kryesor në fushën e mjekësisë së specializuar.

Në objektin e saj figuron si qendër diagnostike, ndërsa në komunikimet zyrtare prezantohet si poliklinikë.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), pronare e “Human Plus” është Sebahate Ahmetaj, e cila zotëron 100 për qind të aksioneve të kompanisë, ndërsa në dokumentet e Ministrisë së Shëndetësisë si themelues figuron Gazmend Ahmetaj.

Sebahate Ahmetaj, përveçse figuron si pronare e kompanisë, në rrjetet sociale prezantohet edhe si mikrobiologe në këtë poliklinikë.

Ndërkaq, Gazmend Ahmetaj në rrjetet sociale prezantohet edhe si CEO i Hotel Derand në Prishtinë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark