Një person i kërkuar me urdhërarrest aktiv është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në Shtime, pas një ndjekjeje me automjet dhe në këmbë, gjatë së cilës ai tentoi t’i ikte Policisë duke kryer edhe manovra të rrezikshme në komunikacion.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15, kur hetuesit e stacionit policor në Shtime, gjatë patrullimit në rrugën “Tahir Sinani”, kanë vërejtur një automjet, shoferi i të cilit nuk u kishte dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar.
Zyrtarët policorë i kanë dhënë shenjë për ndalim, por shoferi nuk i është bindur urdhrit dhe ka vazhduar lëvizjen. Pas aktivizimit të sinjalizimit të alarmit të automjetit policor, i dyshuari ka rritur shpejtësinë, duke kryer manovra të rrezikshme në komunikacion, përfshirë tejkalime edhe mbi trotuar.
Policia ka bërë të ditur se, pas një ndjekjeje të shkurtër, i dyshuari ka hyrë në rrugën “12 Qershori”, ku, pasi ka hasur në një rrugë pa dalje, ka ndaluar automjetin dhe është larguar me vrap.
Njëri nga hetuesit ka vazhduar ndjekjen në këmbë dhe, pas urdhrave verbalë për ndalim, ka arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin.
Pas shoqërimit në stacionin policor në Shtime, është konstatuar se personi i arrestuar ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv. Sipas të dhënave zyrtare, ai ishte arratisur nga institucioni korrektues gjatë vuajtjes së dënimit dhe për rreth tre vjet kishte qëndruar jashtë vendit.
Me vendim të gjyqtarit kompetent, i dyshuari me inicialet A. S. (21 vjeç) është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.
Gjatë tentativës për arratisje dhe arrestimit, i dyshuari ka bërë rezistencë aktive dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore. Atij i është ofruar trajtim mjekësor në QKMF-Shtime.