Kryetari i rikonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë mesazhe të qarta për disiplinën e brendshme partiake pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
Abdixhiku theksoi se reforma brenda partisë nuk është përjashtuese por zgjeruese, mirëpo bëri të qartë se nuk do të tolerohen më sulmet e përditshme publike nga ata që mbajnë siglën e LDK-së.
“Reforma nuk është përjashtuese, është zgjeruese për LDK-në. Natyrisht, ata që nuk kanë bindje në këtë rrugë të LDK-së s’mund të vazhdojnë të kritikojnë, atakojnë e sulmojnë LDK-në çdo natë të mundshme. Kjo praktikë duhet të ndërpritet sepse nuk ekziston në asnjë parti tjetër. Nëse dikush nuk do me qenë me këtë bindje e me këtë vizion, në rregull është, vazhdo tutje jetën i lirë”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së nënvizoi se mbajtja e përgjegjësisë publike është e domosdoshme, pasi përplasjet e brendshme po i shkaktojnë dëm të madh partisë.
“Ai që mban stemën e LDK-së në zemër e në përfaqësime publike, qoftë anëtar i thjeshtë, duhet të ketë përgjegjësi për fjalën që nxjerr sepse dëmi po bëhet i madh… Nuk ka hakmarrje ndaj askujt, por duhet ta kuptoni që rruga bëhet me ata që besojnë. Ata që nuk besojnë nuk mund ta bësh rrugën, asnjë hap — e bën një hap më pas, të kurthojnë dhe më pas i bën dy prapa”, deklaroi ai./Insajderi