Insajderi
Insporti

Arsenal pranë goditjes së madhe, arrin marrëveshje në parim me Newcastle për Bruno Guimaraes

Insajderi
31 July 2026 - 22:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Arsenal pranë goditjes së madhe, arrin marrëveshje në parim me Newcastle për Bruno Guimaraes
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Arsenali ka arritur një marrëveshje në parim me Newcastle United për transferimin e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraes, ndërsa kampionët e Premierligës kanë planifikuar që javën e ardhshme lojtari t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore.

Sipas të përditshmes britanike “Daily Mail”, marrëveshja mes klubeve kap vlerën e 90 milionë eurove, plus bonuse dhe klauzola shtesë.

Edhe pse kontratat zyrtare ende nuk janë nënshkruar, transferimi konsiderohet të jetë në fazën përfundimtare dhe shumë pranë zyrtarizimit.

Drejtuesit e Newcastle United kishin bërë përpjekje të mëdha për ta mbajtur 28-vjeçarin në skuadër, veçanërisht pas largimit të disa emrave të rëndësishëm si Sandro Tonali dhe Anthony Gordon, si dhe dorëheqjes së trajnerit Eddie Howe.

Megjithatë, insistimi i Arsenalit rezultoi vendimtar në këtë proces.

Guimaraes kishte bërë të qartë prej disa javësh dëshirën e tij për t’u larguar nga Newcastle, duke i njoftuar drejtuesit e klubit se synonte një transferim të ri. Ai e forcoi edhe më shumë këtë qëndrim duke refuzuar të udhëtonte me skuadrën në kampin stërvitor në La Manga.

Braziliani, i cili fitoi Kupën e Ligës me Newcastle në mars të vitit 2025 dhe mori pjesë me Brazilin në Kupën e Botës 2026, pritet të bëhet përforcimi i katërt i Arsenalit gjatë kësaj vere.

Më herët, klubi londinez aktivizoi klauzolën për blerjen përfundimtare të mbrojtësit Piero Hincapie nga Bayer Leverkusen, transferoi si lojtar të lirë portierin Illan Meslier dhe siguroi shërbimet e anësorit grek Christos Tzolis nga Club Brugge për 36 milionë funte.

Arsenali kishte tentuar ta transferonte Guimaraes edhe në vitin 2022, kur mesfushori ishte pjesë e Lyonit, por në atë kohë Newcastle United arriti ta fitonte garën për nënshkrimin e tij.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark