Një nga transferimet më të mëdha të merkatos së verës mund të jetë kalimi i Vinicius Juniorit te Arsenali, pasi raportimet e fundit nga Anglia bëjnë të ditur se kjo lëvizje po shihet gjithnjë e më e mundshme.
Sipas “Hand of Arsenal”, përmes një raportimi në platformën “X”, Arsenali ka arritur marrëveshje me Vinicius Jr për kushtet personale të kontratës.
Po sipas të njëjtit raportim, klubi londinez pritet të hyjë i “armatosur” në negociatat me Real Madridin, duke përgatitur një ofertë të madhe për transferimin e superyllit brazilian.
Vinicius Jr tashmë ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me Real Madridin, marrëveshje e cila skadon në qershor të vitit 2027.
Bisedimet për rinovimin e kontratës mes lojtarit dhe klubit madrilen nuk kanë shkuar sipas pritshmërive dhe tashmë situata duket se mund të përfundojë me shitjen e brazilianit, në mënyrë që Reali të mos rrezikojë ta humbasë atë pa përfitime financiare verën e ardhshme.
Sipas raportimeve, Viniciusit i është dhënë një ultimatum nga Real Madridi: “ose pranoje ofertën në tavolinë, ose largohu”.
Klubi madrilen i ka ofruar atij një kontratë të re me pagë prej 20 milionë eurosh në vit, që do të ishte tre milionë euro më shumë se paga e tij aktuale.
Megjithatë, Vinicius nuk e ka pranuar këtë ofertë dhe ka kërkuar një kontratë me vlerë 30 milionë euro në vit.
Real Madridi nuk dëshiron që braziliani të largohet, por njëkohësisht ka bërë të qartë se nuk do të ndryshojë strukturën e pagave për asnjë futbollist.
Vinicius iu bashkua Real Madridit në vitin 2018, kur u transferua nga Flamengo për shumën e 45 milionë eurove.
Që nga atëherë, “Vini” ka shënuar 128 gola dhe ka dhuruar 100 asistime në të gjitha garat me fanellën e “Los Blancos”.
Me Real Madridin, ai ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, tri herë La Ligën, si dhe shumë trofe të tjerë të rëndësishëm.
Në vitin 2024, Vinicius Junior përfundoi i dyti në garën për Topin e Artë, çmim që iu dha mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri.