Kompania “Xhevahir Group” ShPK është urdhëruar të ndërpresë përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi tek Prishtina e Re, pasi Inspektorati Qendror i Punës konstatoi se në objekt nuk ishin zbatuar masat bazë të sigurisë për punëtorët. Dokumentet që ka siguruar Gazeta Insajderi tregojnë se inspektorët evidentuan mungesë të skelave mbrojtëse, rrezik për rënie nga lartësia dhe punë në kushte që cenojnë sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas procesverbalit dhe vendimit të Inspektoratit të Punës, inspektimi është zhvilluar më 20 korrik 2026, në një objekt ndërtimi ku punimet po kryheshin nga kompania “Xhevahir Group” ShPK.
Gjatë kontrollit, inspektorët kanë konstatuar një sërë parregullsish që lidhen me moszbatimin e dispozitave të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Në vendim thuhet se kompania nuk kishte ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve nga rreziqet në vendin e punës, ndërsa në objekt mungonin elemente të domosdoshme të sigurisë.

Për shkak të këtyre gjetjeve, Inspektorati ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të procesit të punës, duke e obliguar kompaninë që të ndërpres menjëherë punimet.
Dokumentet tregojnë se kompania është urdhëruar të vendosë skela dhe masa mbrojtëse, t’i pajisë punëtorët me pajisje personale mbrojtëse, të mbyllë hapësirat e rrezikshme dhe të vendosë barriera e sinjalistikë mbrojtëse për të parandaluar rrezikun nga rënia në lartësi.

Gazeta Insajderi kontaktoi përfaqësuesin e kompanisë për të marrë një qëndrim lidhur me vendimin e Inspektoratit të Punës.
Njëri nga përfaqësuesit e kompanisë konfirmoi se rekomandimet e Inspektoratit ende nuk janë përmbushur dhe se punimet vazhdojnë të mbesin të pezulluara.
“Jo, hala nuk i kena vazhdu punimet. Unë kam qenë prezent atë ditë dhe jam përgjegjës,” deklaroi Xhelal Dullovi për Insajderin.
Dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi tregojnë se vendimi për pezullimin e punimeve mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara gjatë inspektimit.