Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së Republikës, duke theksuar se dërgimi i vendit në zgjedhje të reja nuk është zgjidhje.
Përmes një postimi, Nagavci tha se zgjedhja e kreut të shtetit është përgjegjësi kushtetuese dhe politike e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se qytetarët presin përgjegjësi dhe jo bllokada institucionale.
Ajo theksoi se është koha që, pavarësisht dallimeve politike, të arrihet një dakordim i gjerë për një figurë konsensuale në krye të shtetit.
“Është koha që, përtej dallimeve politike, të arrihet një dakordim i gjerë për Presidentin ose Presidenten e Republikës, një figurë konsensuale, shprehje e unitetit të popullit, me integritet, vlera dhe kontribute të dëshmuara për shtetin dhe shoqërinë”, ka shkruar Nagavci.
Sipas saj, kërkesa për kohë shtesë është bërë për t’u dhënë mundësi bisedimeve që të prodhojnë një marrëveshje politike në interes të Republikës dhe qytetarëve.
Nagavci rikujtoi se, siç ka deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, marrëveshjet kërkojnë mirëkuptim, koncesione dhe kompromis, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë lëshimin e saj duke tërhequr kandidaturën e Glauk Konjufcës për president.
Ajo u bëri thirrje edhe subjekteve të tjera politike që të kontribuojnë në procesin e diskutimeve, duke shtuar se kompromisi është i domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve, ndërsa pa kompromis duhet të mbrohen sovraniteti, integriteti territorial, demokracia dhe interesi i Republikës.
Nagavci vlerësoi se arritja e një marrëveshjeje për Presidentin ose Presidenten është mënyra më e mirë për të shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat, sipas saj, do të dëmtonin stabilitetin institucional dhe ekonominë e vendit.