Insajderi
Lajme

Pacolli: Na u pengua qasja në kantierin e Aeroportit të Vlorës, do t’i mbrojmë të drejtat në arbitrazh dhe gjykatë

Insajderi
06 August 2026 - 20:15
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pacolli: Na u pengua qasja në kantierin e Aeroportit të Vlorës, do t’i mbrojmë të drejtat në arbitrazh dhe gjykatë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke pretenduar se kompania e tij është penguar për muaj të tërë nga institucionet shqiptare që të hyjë në kantier dhe të përfundojë punimet.

Përmes një deklarate publike, Pacolli tha se që nga muaji mars kompania i është drejtuar vazhdimisht institucioneve shtetërore, si palë kontraktuese, duke kërkuar përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e punimeve.

“Që nga muaji mars, i jemi drejtuar çdo ditë institucioneve shtetërore, si palë kontraktuese, duke kërkuar që të përmbushin detyrimet e tyre kontraktore, të krijojnë kushtet e nevojshme dhe të mundësojnë qasjen tonë në kantier, në mënyrë që të përfundonim edhe punimet e mbetura dhe ta vinim aeroportin në operim”, ka deklaruar Pacolli.

Ai bëri të ditur se kompania ka kërkuar gjithashtu hetime të plota dhe të pavarura nga organet e drejtësisë për të identifikuar përgjegjësit për situatën e krijuar, duke shtuar se janë bërë përpjekje për të shmangur arbitrazhin.

“Kemi kërkuar çdo mundësi për të evituar një arbitrazh që do të jetë shumë i rëndë për palët”, është shprehur ai.

Pacolli theksoi se kontrata koncesionare për Aeroportin e Vlorës ishte lidhur në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare, por, sipas tij, nuk u lejua të arrinte fazën e operimit.

Ai akuzoi institucionet se kanë penguar fizikisht kompaninë të hyjë në kantier, duke e cilësuar të pajustifikueshme çdo pretendim për vonesa nga ana e kompanisë.

Sipas Pacollit, në projekt kishin mbetur vetëm instalimet e disa sistemeve, testimet finale, pastrimi dhe përgatitjet për vënien në operim të aeroportit.

Biznesmeni kosovar deklaroi se ky është projekti i parë në historinë e kompanisë Mabetex që nuk ka arritur të përfundojë, duke theksuar se arsyeja nuk ka qenë mungesa e kapaciteteve teknike apo financiare, por pamundësia për të vazhduar punimet.

Ai tha se të gjitha faktet dhe dokumentet do t’u paraqiten përfaqësuesve ligjorë dhe gjykatave kompetente, duke shtuar se qytetarët e Shqipërisë meritojnë transparencë të plotë për të gjithë procesin.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark