Zbulimi i mbetjeve mortore në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të jenë eshtrat e 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, ka nxitur jo vetëm një proces të ndjeshëm hetimor, por edhe pikëpyetje rreth mënyrës se si po qarkullojnë informacionet nga terreni, shkruan Insajderi.
Në qendër të këtyre zhvillimeve, sipas informacioneve të siguruara nga Insajderi, është një përplasje e heshtur mes ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Më 28 korrik nisën gërmimet në Kalludër të Vogël, në një lokacion ku dyshohej për një varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë. Në terren u angazhuan ekipet e Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa EULEX-i ofroi mbështetje në aspektin e sigurisë dhe asistencë forenzike.
Dyshimi fillestar i institucioneve ishte se mbetjet mund t’u përkisnin 23 personave të zhdukur më 19 prill 1999, të njohur si “Grupi i intelektualëve të Mitrovicës”. Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se identiteti i viktimave mund të përcaktohet vetëm pas përfundimit të procedurave mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së.
Një ditë më vonë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, vizitoi vendin ku po zhvilloheshin gërmimet. Ajo bëri thirrje që procesi të lihej në duart e profesionistëve dhe të shmangeshin spekulimet derisa të përfundonin procedurat.

“Nuk është koha për spekulime, nuk është koha për fjalë të mëdha dhe zhurmë të madhe. T’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën”, deklaroi Gërvalla.
Gërvalla tha gjithashtu se zbulimi ishte një zhvillim i rëndësishëm dhe përsëriti thirrjen për presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe dorëzimin e informacioneve për personat e zhdukur.
Një ditë pas Gërvallës, në vendin e gërmimeve doli edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Isufaj konfirmoi se mbetjet e gjetura deri atëherë ishin me origjinë njerëzore, por theksoi se identifikimi i tyre do të kërkonte kohë dhe analiza të ADN-së.

Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje që të mos ketë deklarime të shumta publike për rastin, me arsyetimin se hetimi ishte ende në fazën preliminare.
“Deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin ta hetimit e natyrisht mund edhe ta devijojnë rezultatin final”, tha Isufaj.
Pra, brenda pak ditësh, të dy zyrtarët më të lartë të institucioneve të përfshira në këtë proces – ministrja e Drejtësisë dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale – ishin paraqitur në vendin e ngjarjes dhe kishin folur publikisht për zhvillimet.
Përplasja për vartësinë e IML-së dhe politizimi i procesit
Pas zhvillimeve publike, prapaskenat zbulojnë një tentim për politizimin e kësaj çështjeje tejet të ndjeshme. Përplasja buron nga paqartësia e pretenduar politike mbi hierarkinë e raportimit.
Meqë Instituti i Mjekësisë Ligjore vepron nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Gërvalla pretendon se ekipet e IML-së do të duhej ta informonin atë të parën për çdo gjetje në terren.
Megjithatë, kjo bie ndesh me ligjin dhe procedurat e hetimit penal, sipas të cilave çdo provë, raport apo informacion nga terreni duhet t’i dorëzohet menjëhatë e ekskluzivisht organit të akuzës – Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurorit Blerim Isufaj.
Sipas burimeve të mirëinformuara të Insajderit, Gërvalla u ka kërkuar llogari dhe u ka tërhequr vërejtjen ekipeve të IML-së në terren se përse raportimet e para po shkojnë te Isufaj e jo në kabinetin e saj, duke shpërfaqur një përplasje të hapur se kush duhet ta ketë i pari qasjen në të dhënat e këtij procesi.
Insajderi i ka kërkuar ministres Gërvalla të konfirmojë nëse ua ka tërhequr vërejtjen ekipeve të IML-së dhe nëse arsyeja lidhet me përcjelljen fillestare të informacioneve te Prokuroria Speciale.
Një ditë pas publikimit të shkrimit nga zyra e Gërvallës kanë deklaruar “Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se pretendimet e paraqitura janë plotësisht të pavërteta”
Çfarë thonë procedurat?
Ndërkohë, në aspektin institucional, EULEX-i ka sqaruar se nuk po zhvillon hetim penal në këtë rast dhe se hetimet penale janë kompetencë e vetme e autoriteteve të Kosovës. Misioni ka ofruar vetëm asistencë për vlerësimin e lokacionit dhe aspektet forenzike.
Prokuroria, në anën tjetër, ka kërkuar publikisht që të ruhet integriteti i hetimit dhe që informacionet të mos publikohen apo përdoren para kohe.
Kjo e bën çështjen edhe më të ndjeshme: për një rast që lidhet me fatin e 23 personave të zhdukur prej më shumë se 27 vitesh, tentimet për ndërhyrje apo përplasjet politike mbi kontrollin e informacioneve rrezikojnë të dëmtojnë rëndë procesin hetimor.
Gërmimet dhe hetimet në Kalludër të Vogël vazhdojnë, ndërsa identifikimi përfundimtar i mbetjeve mortore mbetet në duart e ekipeve profesionale dhe procedurave mjeko-ligjore.
/Insajderi