Insajderi
Hulumtime/Analiza

Biznesmenët nga Ferizaj tentuan ta mashtrojnë Komunën e Mitrovicës për një rimorkio në tenderin mbi tre milionësh, futen në listë të zezë

Insajderi
14 August 2026 - 15:59
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Biznesmenët nga Ferizaj tentuan ta mashtrojnë Komunën e Mitrovicës për një rimorkio në tenderin mbi tre milionësh, futen në listë të zezë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka diskualifikuar nga tenderët publikë kompanitë “Quality Asphalt” SH.P.K. dhe “Rahovica” SH.P.K. për një periudhë 8-mujore, nga 6 gushti i këtij viti deri më 5 prill të 2027-ës. Vendimet u morën me kërkesë të Komunës së Mitrovicës Jugore gjatë tenderit mbi tre milionë euro për asfaltimin e rrugëve në Bajgorë, Rashan, Tërsten, Kutllovë dhe Vllahi.

Sipas dokumenteve të OSHP-së, të cilat i ka parë Gazeta Insajderi, të dyja kompanitë dorëzuan në ofertat e tyre marrëveshje për përdorimin e të njëjtit mjet teknik. Bëhet fjalë për një rimorkio kompresor. Komuna vërejti se e njëjta pajisje figuronte në të dyja ofertat, por me dokumente e të dhëna të ndryshuara mbi pronësinë.

Gjatë verifikimit, OSHP citoi deklaratën e pronarit të mjetit dërguar komunës.

“Marrëveshja është nënshkruar nga unë… dhe ky pohim i tij eliminon bazën ligjore mbi të cilën AK-Komuna Mitrovicë, ka kërkuar diskualifikimin tonë, pasi vërtetohet se dokumenti i prezantuar në ofertë nuk është fiktiv dhe nuk është i falsifikuar”, citohet të ketë thënë pronari.

Pavarësisht pretendimeve të kompanive, OSHP konstatoi shkelje të nenit 99 dhe 65 të Ligjit për Prokurimin Publik për paraqitje të të dhënave të rreme.

“Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare”, thuhet në vendim.

“Paneli shqyrtues vendosi që OE Quality Asphalt SHPK [dhe OE Rahovica SHPK], të diskualifikohet nga prokurimi për periudhën prej tetë (8) muajve”, thuhet në fund të vendimit.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje zyrtare në adresë të kompanisë “Quality Asphalt” SH.P.K. dhe kompanisë “Rahovica” SH.P.K. për të marrë një qëndrim lidhur me këto vendime, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tyre.

Rahovica SHPK është në pronësi të biznesmenit nga Ferizaj, Fehmi Krasniqi, e cila në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka të deklaruara mbi një milion euro kapital. Aktivitetet kryesore të kompanisë janë ndërtimi i rrugëve dhe objekteve banësore e jo banesore.

Ndërkaq Quality Asphalt figuron në emër të Gazmend Krasniqit, ku kjo kompani aktivitet kryesor biznesor ka ndërtimin e rrugëve dhe autostradave.

Fotografi e përbashkët e Fehmi dhe Gazmend Krasniqit:

/Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark