Insajderi
Analiza

Prapaskenat e “Rrjetit Krasniqi” | Prokuroria Speciale lavdërohet në botë, por në gjykatë ngec me afate dhe fsheh provat nga mbrojtja

Insajderi
18 August 2026 - 15:29
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Prapaskenat e “Rrjetit Krasniqi” | Prokuroria Speciale lavdërohet në botë, por në gjykatë ngec me afate dhe fsheh provat nga mbrojtja
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nga një operacion i lavdëruar ndërkombëtarisht dhe i lidhur me inteligjencën britanike, te një hetim që po zvarritet përtej afateve ligjore: Flamur Krasniqi mbahet nën masë kufizuese edhe pse, sipas mbrojtjes, afati maksimal prej 18 muajsh ka skaduar pa aktakuzë. Prokuroria kërkon edhe dy muaj arrest shtëpiak, ndërsa mbrojtja thotë se nuk ka marrë asnjë provë materiale, personale apo dokumentare që do ta inkriminonte të dyshuarin. Dokumentet e siguruara nga Insajderi ngrenë kështu pyetje serioze për mënyrën se si po zhvillohet një prej hetimeve më të bujshme të viteve të fundit – nga afatet procedurale deri te qasja e mbrojtjes në provat mbi të cilat Prokuroria po kërkon vazhdimin e masave të sigurisë

Visar Duriqi

Rasti i njohur si “Rrjeti Krasniqi” është cilësuar nga institucionet si një prej goditjeve më të mëdha kundër krimit të organizuar dhe falsifikimit të dokumenteve në Kosovë.

Që nga janari i vitit 2025, kur Policia e Kosovës ndaloi një automjet në të cilin u gjetën 16 çanta plot me dokumente, e deri te zbulimi i një laboratori të sofistikuar në lagjen “Qëndresa” në Prishtinë, ky grup ka qenë në qendër të vëmendjes.

Siç ka raportuar Gazeta Insajderi dhe siç u theksua së fundmi edhe nga mediumi britanik “The Telegraph”, rrjeti dyshohet se prodhonte dokumente identifikimi të falsifikuara të mbi 50 shteteve të ndryshme, duke u mundësuar kështu emigrantëve të paligjshëm të hynin lirshëm në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Përfshirja e inteligjencës britanike, ndihma logjistike për Policinë e Kosovës dhe sanksionet e ashpra të vendosura nga Londra e ngritën këtë operacion në nivel të lartë ndërkombëtar.

Megjithatë, përtej sukseseve mediale dhe operacioneve të bujshme policore, brenda dyerve të gjykatave, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) po përballet me dështime të rënda procedurale që e vendosin organin e akuzës në një siklet të thellë institucional.

Shkresat ekskluzive të mbrojtjes që i ka siguruar Gazeta Insajderi dëshmojnë zvarritjen e hetimeve nga ana e shtetit, mungesën e ngritjes së aktakuzës brenda afateve ligjore dhe një mungesë totale transparence ndaj palës mbrojtëse.

I dyshuari Flamur Krasniqi ndodhet nën masa kufizuese të lirisë (fillimisht në paraburgim dhe më pas në arrest shtëpiak) që nga data 25 janar 2025.

Por, Prokuroria Speciale ende nuk ka ngritur aktakuzë. Përkundrazi, më 17 gusht 2026, organi i akuzës bëri kërkesë që masa e arrestit shtëpiak t’i vazhdohet edhe për dy (2) muaj të tjerë, duke u arsyetuar me vëllimin e madh të pajisjeve për ekspertizë, numrin e personave në arrati dhe dimensionin ndërkombëtar të rastit.

Avokatja e tij, Yllka Dashi, e ka kundërshtuar këtë kërkesë të prokurorisë duke argumentuar se shteti e ka shkelur limitin maksimal ligjor.

Në përgjigjen e saj drejtuar Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ajo citon qartë dispozitat ligjore që e detyrojnë lirimin e tij:

“Në rastin konkret, aktakuza nuk është ngritur deri më 25.07.2026, kur janë mbushur tetëmbëdhjetë (18) muaj nga fillimi i kufizimit të lirisë. Për rrjedhojë, mbrojtja konsideron se është konsumuar afati maksimal ligjor dhe është aktivizuar pasoja juridike që vetë neni 187 paragrafi 5 ia lidh kalimit të këtij afati”, ka shkruar ajo.

Për ta lënë pa asnjë hapësirë manovrimi prokurorinë, avokatja i kujton gjykatës se ligji për këto afate nuk ofron opsione të dyta: “Ligjvënësi nuk ka përcaktuar se i pandehuri ‘mund të lirohet’, por se ‘lirohet'”.

Një nga argumentet kryesore të Prokurorisë Speciale për të kërkuar mbajtjen e tij në arrest është rreziku i ikjes, duke qenë se anëtarë të tjerë të familjes dhe bashkëkryerës të dyshuar ndodhen në arrati. Mbrojtja e konsideron këtë një përpjekje të pafuqishme të shtetit për të kompensuar dështimin në gjetjen e provave konkrete ndaj individit. Në dokument theksohet individualizimi i përgjegjësisë:

“Gjatë tetëmbëdhjetë muajve nuk është evidentuar që Flamur Krasniqi të ketë tentuar të arratiset apo t’i shmanget procedurës… nuk është identifikuar ndonjë sjellje konkrete që do të materializonte rrezikun e përsëritjes”, ka shkruar avokatja.

Avokatja Dashi zhvlerëson pretendimet e prokurorisë përmes një logjike të thjeshtë e të prerë juridike: “Fakti se persona të tjerë ndodhen në arrati nuk provon se Flamur Krasniqi do të arratiset. Fakti se persona të tjerë janë të përfshirë në hetim nuk provon se Flamur Krasniqi do të ndikojë tek ata,” thekson ajo. Ajo shton se, “Kompleksiteti i hetimit nuk është provë e rrezikshmërisë procedurale të të pandehurit”.

Sikleti i Prokurorisë thellohet tutje kur shikohet qasja e tyre e “mbyllur” dhe fshehja e shkresave.

Përmes një kërkese paraprake drejtuar prokurorit të shtetit më 15 qershor 2026, avokatja Dashi ka zbardhur dështimin e shtetit për të garantuar barazinë e armëve në procedurë. Ajo ka theksuar se mbrojtja është privuar tërësisht nga qasja në dosje.

“Theksojmë se për më shumë se gjashtëmbëdhjetë (16) muaj, mbrojtjes nuk i është vënë në dispozicion asnjë provë materiale, personale apo dokumentare me të cilën do të inkriminohej i mbrojturi im ose do të mbështeteshin dyshimet që janë objekt i hetimeve”, ka shkruar avokatja Dashi.

Ky bllokim informacionesh nga organi i akuzës është cilësuar si shkelje e të drejtave themelore të garantuara edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Avokatja e bën të qartë absurditetin e kësaj situate në të cilën prokuroria vazhdon të kërkojë masa sigurie, por pa ia treguar provat palës tjetër:

“Në këto rrethana, mbrojtja është e pamundur të vlerësojë bazueshmërinë e dyshimeve, të analizojë ligjshmërinë e veprimeve hetimore të ndërmarra apo të përgatisë në mënyrë efektive strategjinë mbrojtëse në favor të të mbrojturit”, ka shkruar ajo.

Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast që nga janari i vitit 2025, kur Policia e Kosovës ndaloi në Prishtinë një automjet në të cilin u gjetën 16 çanta me dokumente të ndryshme të zbrazëta dhe të mbushura, përfshirë pasaporta, patenta dhe materiale për falsifikim.

Hetimet çuan më pas në zbulimin e një laboratori të sofistikuar në lagjen “Qendresa” në Prishtinë, ku u sekuestruan makina lazerike, printerë, mbi 20 mijë mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale, disa prej personave që më vonë u sanksionuan nga Britania e Madhe ishin identifikuar si të dyshuar për role të ndryshme në këtë rrjet. Në tetor 2025, pas raportimeve të Insajderit, Qeveria britanike sanksionoi nëntë persona të lidhur me “rrjetin Krasniqi”, përfshirë Burim, Arif, Flamur dhe Valon Krasniqin, Sami Duriqin, Granit Avdylin, Nexhmie Selmanin, Endrit dhe Shembim Emerllahun.

Ndërkohë, në maj 2026, Insajderi raportoi se Sami Duriqi dhe Granit Avdyli ishin dy personat e arrestuar në kuadër të rastit “Laboratori 25”, me Duriqin që ishte paraqitur vullnetarisht në Policinë e Kosovës dhe Avdylin që ishte ndaluar për 48 orë.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale që Gazeta Insajderi e kishte siguruar dhe publikuar në prill 2025, Arif Krasniqi përmendej si një prej të dyshuarve kryesorë në rast. Fillimisht i intervistuar si dëshmitar pas arrestimit të djalit të tij, Flamur Krasniqi, ai më pas u vu nën hetim pasi në telefonin e tij u gjetën 85 fotografi të dokumenteve me të dhëna të huaja, 23 prej të cilave, sipas dyshimeve të Prokurorisë, ishin realizuar me dorëza në laboratorin e falsifikimit.

Prokuroria dyshonte se Arif Krasniqi kishte shërbyer si ndërmjetës mes personave që kërkonin dokumente të falsifikuara dhe atyre që i prodhonin, ndërsa në dosje përmendej edhe fshirja e aplikacioneve dhe bisedave nga telefoni i tij. Për këto arsye, ai dyshohej për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar në lidhje me falsifikimin e dokumenteve. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark