Insajderi
Hulumtime/Analiza

Raportimi ekskluziv i Gazetës Insajderi për “rrjetin Krasniqi”, ‘The Telegraph’ zbulon prapaskenat që çuan deri te shkatërrimi i grupit që falsifikonin dokumente

Insajderi
14 August 2026 - 13:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raportimi ekskluziv i Gazetës Insajderi për “rrjetin Krasniqi”, ‘The Telegraph’ zbulon prapaskenat që çuan deri te shkatërrimi i grupit që falsifikonin dokumente
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Mediumi i famshëm britanik, The Telegraph, në një raportim të djeshëm, ka zbuluar prapaskenat dhe përfshirjen e inteligjencës britanike në sanksionimin e “rrjetit Krasniqi”, që çoi në dorëzimin e tyre tek autoritetet e Kosovës.

Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për rastin e “rrjetit Krasniqi”, ku sipas The Telegraph, grupi kriminal me bazë në Kosovë kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve, përmes të cilit u mundësohej migrantëve të paligjshëm të udhëtonin nëpër Evropë dhe të hynin në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas raportimit të mediumit britanik, rrjeti ishte në gjendje të prodhonte dokumente identiteti, pasaporta dhe patenta të falsifikuara, duke u mundësuar personave të paraqiteshin si shtetas të më shumë se 50 vendeve të ndryshme.

Në kuadër të hetimeve, autoritetet britanike ndërmorën masa të drejtpërdrejta ndaj anëtarëve të rrjetit, duke i vendosur nën sanksione financiare dhe të udhëtimit. Këto masa i mundësuan Qeverisë britanike të ngrinte asetet e personave të sanksionuar dhe të kufizonte qasjen e tyre në sistemin financiar, ndërsa njëkohësisht iu ndalua udhëtimi drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Por, sipas The Telegraph, pikërisht këto masa duket se patën ndikim të rëndësishëm në zhvillimet e mëvonshme.

Autoritetet kosovare kanë vlerësuar se ishte “shumë e mundshme” që sanksionet e vendosura nga Mbretëria e Bashkuar të kishin ndikuar në vendimin e disa prej anëtarëve të “rrjetit Krasniqi” për t’u dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Të dyshuarit, ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare, nisën të dorëzoheshin pas presionit të shtuar ndaj tyre. Sipas raportimit, disa prej tyre e bënë këtë vetëm pasi emrat e tyre ishin përfshirë në listën e sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë operacion, bashkëpunimi mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar kishte rol të rëndësishëm. Britania kishte ofruar mbështetje për institucionet kosovare, përfshirë mentorim për prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë policorë, si dhe mbështetje për ekipet e përbashkëta hetimore.

Shtatë anëtarë të dyshuar të rrjetit tashmë po përballen me drejtësinë për rolet e tyre të dyshuara në prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të falsifikuara.

Në mesin e tyre janë edhe persona të dyshuar për sigurimin e lokaleve dhe pajisjeve të përdorura për falsifikim, posedimin e dokumenteve të falsifikuara, prodhimin e tyre dhe reklamimin e shërbimeve të grupit.

Rasti i “rrjetit Krasniqi” tashmë po shihet si një shembull i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër kontrabandimit të njerëzve dhe falsifikimit të dokumenteve.

Sipas The Telegraph, goditja ndaj këtij rrjeti erdhi si rezultat i kombinimit të hetimeve të autoriteteve kosovare, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe presionit të ushtruar përmes sanksioneve britanike.

Ndërhyrja britanike, sipas raportimit, nuk u kufizua vetëm në arrestime, por përfshiu edhe goditjen e burimeve financiare dhe mundësive të udhëtimit të personave të dyshuar si pjesë e rrjetit.

Kështu, ajo që nisi si një hetim ndaj një rrjeti të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë ndaj migrantëve për kalim të paligjshëm të kufijve, përfundoi me arrestimin dhe dorëzimin e disa prej figurave të dyshuara kryesore të grupit.

Çka raportoi Gazeta Insajderi për këtë grup?

Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast që nga janari i vitit 2025, kur Policia e Kosovës ndaloi në Prishtinë një automjet në të cilin u gjetën 16 çanta me dokumente të ndryshme të zbrazëta dhe të mbushura, përfshirë pasaporta, patenta dhe materiale për falsifikim.

Hetimet çuan më pas në zbulimin e një laboratori të sofistikuar në lagjen “Qendresa” në Prishtinë, ku u sekuestruan makina lazerike, printerë, mbi 20 mijë mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale, disa prej personave që më vonë u sanksionuan nga Britania e Madhe ishin identifikuar si të dyshuar për role të ndryshme në këtë rrjet. Në tetor 2025, pas raportimeve të Insajderit, Qeveria britanike sanksionoi nëntë persona të lidhur me “rrjetin Krasniqi”, përfshirë Burim, Arif, Flamur dhe Valon Krasniqin, Sami Duriqin, Granit Avdylin, Nexhmie Selmanin, Endrit dhe Shembim Emerllahun.

Ndërkohë, në maj 2026, Insajderi raportoi se Sami Duriqi dhe Granit Avdyli ishin dy personat e arrestuar në kuadër të rastit “Laboratori 25”, me Duriqin që ishte paraqitur vullnetarisht në Policinë e Kosovës dhe Avdylin që ishte ndaluar për 48 orë.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale që Gazeta Insajderi e kishte siguruar dhe publikuar në prill 2025, Arif Krasniqi përmendej si një prej të dyshuarve kryesorë në rast. Fillimisht i intervistuar si dëshmitar pas arrestimit të djalit të tij, Flamur Krasniqi, ai më pas u vu nën hetim pasi në telefonin e tij u gjetën 85 fotografi të dokumenteve me të dhëna të huaja, 23 prej të cilave, sipas dyshimeve të Prokurorisë, ishin realizuar me dorëza në laboratorin e falsifikimit.

Prokuroria dyshonte se Arif Krasniqi kishte shërbyer si ndërmjetës mes personave që kërkonin dokumente të falsifikuara dhe atyre që i prodhonin, ndërsa në dosje përmendej edhe fshirja e aplikacioneve dhe bisedave nga telefoni i tij. Për këto arsye, ai dyshohej për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar në lidhje me falsifikimin e dokumenteve. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark