Në Shqipëri, kompanitë e lidhura me Kadri Morinën kanë ndërtuar një biznes të fuqishëm në tregun e sigurimeve dhe kanë përfituar dhjetëra kontrata publike, ndërsa në Kosovë “Eurosig” është përballur me ndërhyrjen e BQK-së. Shkarkimi i drejtuesve erdhi në një kohë kur rregullatori ngriti shqetësime për mënyrën e mbulimit të rreziqeve dhe risigurimit, Kompania e ka pranuar vendimin për shkarkimet, por nuk u është përgjigjur se pse shteti i Kosovës e mori këtë vendim që prek një nga oligarkët e Edi Ramës
Visar Duriqi
Në tregun e sigurimeve në Shqipëri, emri i Kadri Morinës është përmendur ndër vite në raportime që kanë ngritur pikëpyetje për marrëdhëniet e tij me institucionet dhe për aktivitetin e kompanive të lidhura me të. Publiku atje e radhit edhe në rangun e atyre që njihen si ‘oligarkët e Edi Ramës’.
Në Kosovë, ndërkaq, Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë një masë të rëndësishme ndaj kompanisë së sigurimeve “Eurosig Kosova”, duke shkarkuar drejtuesit e saj më të lartë.
Pas këtij vendimi që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë udhëheqjen e kompanisë, qëndrojnë shqetësime të lidhura me ekspozimin financiar, mbulimin e risigurimit dhe mënyrën e strukturimit të disa garancive financiare.
Burime brenda sektorit financiar i kanë thënë Insajderit se kompania ka marrë përsipër rreziqe të konsiderueshme pa mbulim të jashtëm risigurimi, ndërsa disa polisa dyshohet se janë ndarë në vlera më të vogla për të shmangur tejkalimin e kufijve rregullatorë.
Sipas Ligjit për Sigurimet dhe Rregullores së BQK-së, për çdo garanci që kalon vlerën prej 300 mijë eurosh, kompania është e detyruar ligjërisht të ketë një risigurues nga jashtë Kosovës.
Një praktikë e tillë do ta ekspozonte shoqërinë ndaj një rreziku të konsiderueshëm financiar në rast të kërkesave të mëdha për dëmshpërblim dhe do të ngrinte çështje serioze lidhur me sigurinë financiare të kompanisë.
Burimet brenda BQK-së i kanë thënë Insajderit se “Eurosig” në Kosovë u kap duke mos pasur një kontratë me risigures jashtë vendit, gjë që nuk e ka mohuar e as konfirmuar kompania, derisa BQK-ja deri më tash nuk ka dhënë sqarime për vendimin: Shkarkim i bordit e drejtorit ekzekutiv të “Eurosig”.
“Eurosig” pranon shkarkimet
Të kontaktuar për të komentuar këto gjetje, përfaqësuesit e “Eurosig Kosova” kanë konfirmuar vendimin e rregullatorit.
“Ju njoftojmë se KS ‘Eurosig’ ka pranuar vendimin për lirimin nga detyra të UD Kryeshefit Ekzekutiv dhe 4 anëtarëve të Bordit”, thekson Baxhuku në përgjigjen e tij, duke shtuar se kompania tashmë ka caktuar një Kryetar të ri të Bordit dhe po vazhdon “funksionimin normal”. Ka thënë për Insajderin Ushtruesi i ri i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Visar Baxhuku.
Megjithatë, menaxhmenti i ri i “Eurosig” nuk iu përgjigj në mënyrë specifike pyetjeve mbi ekspozimin ndaj rrezikut dhe skemën e fragmentimit të garancive- saktë se pse BQK-ja e shkarkoi bordin e drejtorin ekzekutiv.
Kompania nuk dha një përgjigje konkrete ndaj pretendimeve për ndarjen e polisave në pjesë-pjesë përmes së cilave dyshohet se është synuar shmangia e kërkesave rregullatore. Në përgjigjen e saj, kompania u mjaftua me një deklaratë se “nuk kanë ndjekur asnjë procedurë tjetër… pa i kundërshtuar ato [vendimet e BQK-së]”.
Sipas vendimit, Baxhuku i ka thwnw Insajderit se kompania “Eurrosig” ka një peirudhë kohore për zgjedhjen organeve drejtuese (Bordi Aktual është funksional deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinjë), “vendim të cilin KS “Eurosig” ka filluar të implementoj në tërësi, ku ka caktuar UD Kryeshefin Ekzekutiv dhe Kryetarin e ri të Bordit, vendim me të cilin është njoftuar edhe BQK dhe brenda afatit edhe anëtarët tjerë”.
Sipas tij, “për të gjitha komentet lidhur me gjetjet dhe konstatimet nga ekzamini, brenda afatit janë përpiluar përgjigjet para pranimit të raportit final”.
U.d. Kryeshefi i “Eurosig” ka shtuar se “në asnjë rrethanë KS “Eurosig” nuk ka pasur pengesë në funksionim normal të kompanisë për shkak të vendimit nga BQK, pasiqë Bordi aktual dhe strukturat menaxhuese janë funksionale dhe të përkushtuara në përmbushjen e obligimeve ditore dhe atyre strategjike”.
Insajderi e ka pyetur edhe BQK-në, por deri tash nuk kanë kthyer përgjigje.
Rrjeti i pronësisë: Koka në Tiranë
Ndërhyrja e Bankës Qendrore të Kosovës ndaj menaxhmentit në Prishtinë nuk mund të shihet e shkëputur nga struktura e pronësisë së kompanisë. Në regjistrat zyrtarë, “Eurosig Kosova” është 100 për qind në pronësi të shoqërisë “Eurosig” sh.a., me seli në Republikën e Shqipërisë.
Dokumentet nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) zbardhin arkitekturën e kësaj strukture pronësore. Sipas Ekstraktit Historik të Regjistrit të Pronarit Përfitues, të dhëna të tërhequra në korrik 2023, Kadri Morina figuron si pronari kryesor përfitues që nga fundi i vitit 2005, duke zotëruar i vetëm 58.21 për qind të kapitalit.
Një pjesë tjetër e konsiderueshme kontrollohet përmes shoqërisë “EURO-ALBA-EA”, e themeluar në vitin 1993, ku shtetasi Gazmen Neza është administrator dhe pronar përfitues për 25.69 për qind të kapitalit të “Eurosig”, status i zyrtarizuar në janar 2022.
Kjo strukturë pronësore e vendos Morinën në një pozitë dominuese në kontrollin e korporatës, ndërsa një prej kompanive të saj tashmë është përballur me një ndërhyrje të rëndësishme të rregullatorit në Kosovë.
‘I paprekshmi’ i Ramës që ‘privatizoi’ Pallatin e Kongreseve
Për të kuptuar peshën e vendimit të BQK-së, është e rëndësishme të shihet edhe aktiviteti i Kadri Morinës në Shqipëri. Në Tiranë, emri i tij është shfaqur në një numër raportimesh dhe të dhënash publike që kanë ngritur pikëpyetje për ndikimin e biznesit të tij dhe marrëdhëniet me institucionet shtetërore.
Ky diskutim lidhet, ndër të tjera, me kontratat publike të kompanive të lidhura me Morinën. Organizatat investigative, si “Open Data Albania”, kanë dokumentuar se kompanitë e Morinës, si INSIG dhe Eurosig, kanë përfituar mbi 160 kontrata publike, shumë prej të cilave janë evidentuar me “Flamurin e Kuq” të korrupsionit për shkak të mungesës së konkurrencës.
Një prej rasteve të përmendura është sigurimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit (burgjeve), ku biznesmeni arriti të fitonte një tender rreth 1 milion euro duke garuar praktikisht me veten e tij. Sipas të dhënave të raportuara, të vetmet kompani pjesëmarrëse ishin INSIG dhe Eurosig, të dyja të lidhura me të njëjtin pronar.
Përtej përfitimeve financiare, aktiviteti publik i Morinës është shoqëruar edhe me kërkesa për ndryshime në politikat dhe kuadrin ligjor. Në vend që kjo të shihet thjesht si aktivitet i një subjekti tregtar, propozimi i tij i përsëritur për ta bërë me ligj të detyrueshëm sigurimin e banesave dhe bizneseve nga tërmetet ka hapur diskutime për ndikimin që një kompani e sigurimeve mund të ketë në hartimin e politikave publike që lidhen drejtpërdrejt me tregun ku ajo operon.
Kulmi i këtij diskutimi është lidhur së fundmi edhe me përdorimin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë për një ceremoni familjare. Shndërrimi i hapësirave të këtij objekti me rëndësi kombëtare dhe historike në një sallë dasme luksoze për djalin e tij u bë objekt vëmendjeje publike dhe raportimesh në media.
Ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me procedura dhe kufizime në përdorimin e pronës publike, rasti i përdorimit të Pallatit të Kongreseve për këtë ceremoni ngriti pikëpyetje në opinionin publik për mënyrën se si lejohet përdorimi i hapësirave të tilla dhe për marrëdhëniet mes biznesit dhe institucioneve.
Disa orë pas publikimit BQK-ja ka dërguar përgjigje në Insajderi, këto janë përgjigjet e plota:
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të mandatit të saj ligjor për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare, përfshirë siguruesit, ushtron në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyrje mbi pajtueshmërinë e tyre me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi. Ky mandat zbatohet me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar, forcimit të qeverisjes korporative dhe menaxhimit të rrezikut, si dhe mbrojtjes së interesave të policëmbajtësve dhe publikut.
Në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, BQK përmes strukturave të saj profesionale monitoron në vazhdimësi aktivitetin e siguruesve dhe, kur identifikohen mangësi, rreziqe të shtuara apo mospajtueshmëri, ndërmerr veprimet e nevojshme mbikëqyrëse, korrigjuese dhe administrative. Natyra dhe niveli i masave varen nga rrethanat konkrete, pesha e çështjeve të konstatuara, ndikimi i tyre potencial në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e institucionit, si dhe nevoja për të siguruar funksionim të rregullt të tregut të sigurimeve.
BQK siguron publikun se ushtron kompetencat e saj në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të bazuar në ligj, duke trajtuar me seriozitet çështjet që mund të ketë ndikim në stabilitetin e një institucioni të mbikëqyrur, në mirëfunksionimin e sektorit apo në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë. Në çdo rast, veprimet e BQK-së synojnë që çështjet e identifikuara të adresohen në kohë dhe në mënyrë proporcionale, pa cenuar stabilitetin e përgjithshëm të sektorit.
Lidhur me pyetjet konkrete të parashtruara, BQK nuk mund të konfirmojë, komentojë apo bëjë publike detaje që kanë të bëjnë me ekzaminime mbikëqyrëse për institucione financiare individuale, masa të mundshme ndaj institucioneve apo personave të mbikëqyrur sipas ligjit, procedura në zhvillim, dokumente të brendshme apo informacione të tjera të natyrës konfidenciale mbikëqyrëse.
Kufizimi për dhënien e këtyre të dhënave buron nga kërkesat ligjore për konfidencialitet dhe nga rregullat për trajtimin e informacionit mbikëqyrës, të përcaktuara me Ligjin për BQK-në, Ligjin për Sigurimet dhe aktet përkatëse të brendshme. Vendimet, raportet, gjetjet apo komunikimet mbikëqyrëse që lidhen me institucione të veçanta financiare mund të shpalosen vetëm në rastet dhe mënyrën e lejuar me legjislacionin në fuqi. E shohim të nevojshme dhe në respekt të sqarojmë se, konfidencialiteti në proceset mbikëqyrëse është element thelbësor për integritetin dhe efektivitetin e mbikëqyrjes financiare. Ai mundëson trajtimin e plotë, profesional dhe të paanshëm të çështjeve të ndjeshme, mbron informacionin e institucioneve të mbikëqyrura dhe të palëve të treta, si dhe parandalon keqinterpretimet apo ndikimet e panevojshme në treg, që mund te kenë aspekte të riskut ligjor ose reputacional.
Përtej kufizimeve ligjore për komentimin e rasteve individuale, BQK thekson se sektori i sigurimeve në Republikën e Kosovës mbetet subjekt i mbikëqyrjes së rregullt dhe të vazhdueshme. BQK zbaton me vendosmëri mandatin e saj në mënyrë të pavarur, të bazuar në ligj dhe në interes të stabilitetit të sektorit financiar, duke ndërmarrë veprimet e nevojshëm kurdo kërkohet brenda kompetencave të saj për të garantuar stabilitetin e sektorit, funksionimin e drejtë të tregut dhe mbrojtjen e të siguruarve (policëmbajtësve).
Gjithashtu, BQK mbetet e përkushtuar për transparencë institucionale në pajtim me ligjin dhe të komunikojë me publikun informacion që, sipas kornizës ligjore në fuqi, është i autorizuar për publikim në masën sa vlerësohet i nevojshëm për informim të drejtë e të saktë, duke balancuar të drejtën e publikut për informim me detyrimin ligjor për ruajtjen e informacionit konfidencial dhe me përgjegjësinë për të ruajtur stabilitetin e sektorit financiar.
/Gazeta Insajderi