Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë dje ndaj tre personave për mashtrim për transplant të veshkave. Në mesin e personave të akuzuar është edhe Valmir Hajrullahu, emër i përmendur më herët në media për mashtrime. Hajrullahu ishte dënuar me dy vite burgim për mashtrime me grant bujqësor me një kompani të tijën. Ai ka aktakuzë për mashtrime për grante bujqësore edhe gjatë kohës sa ka qenë drejtor në organizatën jo-qeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci “QAD”.
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Valmir Hajrullahut dhe Avdyl Kryeziut, të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, në një rast ku një qytetar dyshohet se është dëmtuar në shumën prej 134 mijë e 761 euro.
Sipas aktakuzës, Valmir Hajrullahu dyshohet se gjatë periudhës nga 26 maji 2021 deri më 29 shtator 2023, në fshatin Lubeniq të Komunës së Pejës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka mashtruar të dëmtuarin duke e vënë dhe mbajtur atë në lajthim përmes paraqitjes së rreme të fakteve.
Sipas Prokurorisë, Hajrullahu dyshohet se është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka premtuar të dëmtuarit se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, ai ka kërkuar dhe pranuar nga i dëmtuari mjete financiare, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura që lidhen me transplantimin.
Gazeta Insajderi pati raportuar për rastin në muajin shkurt të këtij viti, kur Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Valmir Hajrullahut.
Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga Insajderi, përshkruhej mënyra se si dyshohej se funksiononte skema e mashtrimit.
Hajrullahu dyshohej se ishte paraqitur si mjek, duke shfrytëzuar gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit dhe duke i premtuar se do ta ndihmonte për trajtim dhe transplantim në Turqi.
Në një dëshmi të përfshirë në dosje, një dëshmitare kishte deklaruar se më 15 qershor 2021 kishte udhëtuar drejt Stambollit së bashku me vëllain e saj, ku ishin takuar me Hajrullahun, i cili, sipas saj, ishte prezantuar si doktor kardiokirurg.
Sipas dosjes së Prokurorisë, në skemë dyshohej se ishin përfshirë edhe Avdyl Kryeziu dhe shtetasi turk Yilmaz Tassoker.
Për ta bërë mashtrimin më të besueshëm, sipas hetimeve të atëhershme, dyshohet se ishin përdorur dokumente dhe të dhëna të rreme, përfshirë termine fiktive për ekzaminime mjekësore, rezervime të biletave të avionit, fatura dhe komunikime përmes email-eve.
Prokuroria kishte pretenduar se Hajrullahu, duke u paraqitur rrejshëm si mjek, kishte kërkuar vazhdimisht nga i dëmtuari dhe familjarët e tij shuma të ndryshme parash.
Sipas aktakuzës së ngritur tash, shuma totale e dëmit të shkaktuar është 134 mijë e 761 euro.
Valmir Hajrullahu, recidivist i mashtrimeve
Ky nuk është rasti i vetëm ku ai përballet me organet e drejtësisë. Emri i Hajrullahut është i njohur për skema të përsëritura mashtrimi, veçanërisht me grante bujqësore, ku në një rast tashmë është dënuar me burgim, ndërsa në një tjetër po gjykohet për dëm miliona eurosh.
Në mars të vitit 2026, Gjykata Themelore në Ferizaj e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë, si dhe 6 mijë euro gjobë për biznesin e tij “E.D&C” SH.P.K., pasi kishte mashtruar një qytetar duke i marrë mbi 5 mijë euro me premtimin e rremë se do t’i siguronte një traktor përmes një granti bujqësor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 15 maj 2019, i dëmtuari R.H. kishte shkuar në zyrat e kësaj kompanie në Ferizaj për të biseduar rreth një plani biznesi për aplikim në grante bujqësore kinse të financuara nga shtete të huaja.
Hajrullahu e kishte bindur viktimën se nëse depozitonte një shumë prej 4 mijë e 280 eurosh në llogarinë e biznesit të tij, do të përfitonte një grant bujqësor – përkatësisht një traktor në vlerë prej rreth 25 mijë eurosh. Mirëpo, posa i dëmtuari i deponoi paratë (që bashkë me shpenzime tjera arritën në 5 mijë e 80 euro), Hajrullahu nuk iu lajmërua më kurrë dhe traktorin nuk ia siguroi asnjëherë.
Përveç këtij dënimi në Ferizaj, Hajrullahu përballet edhe me një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Aty ai akuzohet si bashkë-themelues i OJQ-së “Qendra për Avokim dhe Diplomaci” (QAD) për mashtrim dhe organizim të skemave piramidale, ku përmes premtimeve të rreme për subvencione e grante bujqësore dyshohet se u morën miliona euro nga me dhjetëra fermerë kosovarë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Hajrullahu, në cilësinë e drejtuesit/shefit, bashkë me të akuzuarit Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna, kishin themeluar Organizatën Joqeveritare “Qendra për Avokim dhe Diplomaci” (QAD).
Përmes kësaj OJQ-je me zyra në Hotelin Grand në Prishtinë, ata kishin ngritur një skemë mashtruese duke i bindur me dhjetëra fermerë kosovarë se po u ofronin projekte e subvencione bujqësore (për makineri, bletari, mbjellje mjedrash etj.) kinse të financuara nga donatorë të huaj e nga Bashkimi Evropian.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit i kushtëzonin fermerët që të nënshkruanin kontrata dhe të paguanin një participim financiar prej 25% deri në 35% të vlerës totale të projektit, me premtimin se pjesa tjetër do të mulohej nga organizata.
Pasi viktima depononte mijëra euro përqindje të vetë-financimit (në disa raste edhe mbi 7 mijë euro për person), projektet nuk realizoheshin kurrë, ndërsa mjetet financiare nuk u kthyeheshin. Prokuroria pretendon se përmes kësaj skeme piramidale, Hajrullahu dhe bashkëpunëtorët e tij përfituan në mënyrë të kundërligjshme qindra mijëra euro nga bujqit e dëmtuar.
Sipas aktakuzës, ku janë listuar individualisht me dhjetëra fermerë të dëmtuar që kanë paguar nga mijëra euro përqindje participimi, vlera e përgjithshme e dëmit të shkaktuar nga kjo skemë piramidale llogaritet të jetë miliona euro.
Edhe në procesverbalin e seancës së mbajtur ndaj Hajrullahut, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, njëri nga dëshmitarët konfirmon se njihet me të që nga 2011-ta dhe se kishin bashkëpunuar me të në OJQ’në “QAD”.
Sipas dëshmitarit, skema e OJQ-së “QAD” ishte shembur në vitin 2016 pas ndërhyrjes së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Krimeve Ekonomike, të cilat kishin arrestuar 5 deri në 6 persona, përfshirë edhe vetë Hajrullahun.
Dëshmitari në dëshminë e tij tregon se si pas bllokimit të OJQ-së dhe falimentimit financiar, Hajrullahu kishte mbetur krejtësisht pa para, çka e shtyu atë t’i kërkonte ndihmë financiare për blerjen e biletave të udhëtimit.
Ai kishte deklaruar para prokurorit se vetë ai ndihej i mashtruar nga Hajrullahu për një shumë prej 130 mijë eurosh, por megjithatë e kishte ndihmuar sërish me para e bileta sepse “ai ishte keq financiarisht”.
Avdyl Kryeziu dyshohet se ndihmoi në mashtrim
Në aktakuzën e re është përfshirë edhe Avdyl Kryeziu.
Sipas Prokurorisë, Kryeziu dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale duke e njoftuar të dëmtuarin me Valmir Hajrullahun, duke e paraqitur atë rrejshëm si mjek në Turqi dhe duke i krijuar besim të dëmtuarit lidhur me kompetencat dhe mundësitë e tij për organizimin e transplantimit të veshkës.
Ndërkohë, për Yilmaz Tassoker, i cili sipas aktakuzës dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës, procedura penale është veçuar.
Në shkurt të këtij viti, Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Valmir Hajrullahut.
Sipas dosjes së atëhershme, Hajrullahu kishte qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe ishte vetëdorëzuar në polici më 20 shkurt 2026.
Prokuroria kishte argumentuar se paraburgimi ishte i domosdoshëm për shkak të rrezikut të arratisjes, ndërsa kishte përmendur edhe shqetësimet e të dëmtuarit dhe dëshmitarëve.
“I dëmtuari dhe dëshmitarët kanë deklaruar se janë të frikësuar dhe ndihen të shqetësuar nga i pandehuri”, thuhej në kërkesën për paraburgim.
Në atë kohë, Policia e Kosovës kishte njoftuar se dy persona ishin arrestuar nën dyshimin se kishin mashtruar një qytetar me premtimin se do ta dërgonin jashtë vendit për shërim, duke i shkaktuar dëm prej rreth 130 mijë eurosh.
Si prova materiale ishin sekuestruar dy telefona mobilë, dy kartela të spitaleve dhe një kartelë bankare.
Tash, me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Pejë i ka propozuar gjykatës që Valmir Hajrullahu dhe Avdyl Kryeziu të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.
Për personin tjetër të përfshirë në rast, pra shtetasin turk, Yilmaz Tassoker i cili dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës, procedura penale është veçuar. /Insajderi.org/