Insajderi
Lajme

Dokumenti “Leptiri” dhe plani për komprometimin e Kurtit, Prokuroria: U gjet në telefonin e Fatmir Shehollit

Insajderi
25 August 2026 - 16:23
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dokumenti “Leptiri” dhe plani për komprometimin e Kurtit, Prokuroria: U gjet në telefonin e Fatmir Shehollit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një dokument i titulluar “Leptiri”, i cili, sipas Prokurorisë Speciale, përmban një plan të strukturave të atëhershme të Sigurimit Shtetëror të Serbisë për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit, është gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit.

Sipas aktakuzës së ngritur ndaj Shehollit, dokumenti është zbuluar gjatë analizimit të një telefoni iPhone, i cili i ishte sekuestruar atij.

Prokuroria pretendon se dokumenti ishte hartuar në vitin 2001 nga strukturat e RDB-së, në kohën kur Kurti po vuante dënimin në burgjet e Serbisë.

Në dokument, sipas aktakuzës, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, përmes të cilit synohej sigurimi i materialeve komprometuese ndaj Kurtit.

Këto materiale, sipas Prokurorisë, do të përdoreshin më pas për ushtrimin e presionit ndaj tij me qëllim të bashkëpunimit me strukturat e RDB-së.

Prokuroria thotë se dokumenti ishte nënshkruar nga shefi i Sektorit III të Sigurimit Shtetëror serb.

Gjatë deklarimit para Prokurorisë, Sheholli është pyetur edhe për mënyrën se si dokumenti kishte përfunduar në telefonin e tij.

Sipas aktakuzës, ai ka deklaruar se dokumenti i ishte dërguar nga Bojan Dimiç, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të BIA-s.

Nga analiza e komunikimeve në telefonin e Shehollit, Prokuroria pretendon se dokumenti ishte përcjellë më pas te persona të tjerë dhe se ishte kërkuar edhe përkthimi i tij nga serbishtja në shqip.

Në deklaratën e tij, sipas aktakuzës, Sheholli ka pranuar se dokumentin ua kishte dërguar disa personave.

Prokuroria vlerëson se shpërndarja e dokumentit, së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të gjetura në telefon, janë të rëndësishme për të dëshmuar kontaktet e Shehollit me persona që, sipas saj, kanë lidhje me strukturat e sigurisë serbe.

Në aktakuzë përmenden edhe komunikime të tjera të Shehollit me persona të lidhur me BIA-n.

Ndër to janë edhe disa komunikime të zhvilluara në dhjetor të vitit 2024 me një person të identifikuar si Viktor Petrushevski.

Sipas Prokurorisë, nga këto komunikime rezulton se Sheholli kishte ndërmarrë hapa për të organizuar një takim me Bojan Dimiçin.

Prokuroria pretendon se takimi është zhvilluar më 25 dhjetor 2024, ndërsa gjatë komunikimeve të asaj dite, Sheholli kishte përcjellë edhe një numër telefoni që, sipas të dhënave të administruara nga autoritetet, ishte në përdorim nga Dimiçi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e ngarkuar me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark