Insajderi
Analiza

Shefi i tenderëve shpërfillë vërejtjet e vendimet e OSHP-së, shpall fituese firmën e preferuar për të tretën herë

Insajderi
26 August 2026 - 16:21
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shefi i tenderëve shpërfillë vërejtjet e vendimet e OSHP-së, shpall fituese firmën e preferuar për të tretën herë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pavarësisht dy vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, përmes të cilave procedura ishte kthyer në rivlerësim dhe ishin evidentuar shkelje në mënyrën e vlerësimit të ofertave, Divizioni i Prokurimit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), i udhëhequr nga Azem Duraku, e ka shpallur për herë të tretë fituese të njëjtën kompani – “Mirsad Gashi B.I.”. Bëhet fjalë për tenderin 275 mijë eurosh për servisimin dhe mirëmbajtjen e veturave zyrtare të ATK-së.

Tenderi me vlerë të parashikuar prej 275 mijë eurosh, është ndarë në katër pjesë dhe prej muajsh është përfshirë në një varg ankesash, vendimesh të OSHP-së dhe rivlerësimesh nga ATK-ja.

Në dy vendimet e saj, OSHP-ja kishte gjetur probleme në procedurën e ndjekur nga ATK-ja dhe kishte kërkuar që lënda të kthehej në rivlerësim.

Në njërin prej rasteve, Paneli Shqyrtues kishte ngritur edhe shqetësime për mënyrën se si ishin aplikuar kriteret ndaj operatorëve ekonomikë.

Megjithatë, pas rivlerësimeve, rezultati nuk ndryshoi.

OSHP-ja e anulon vendimin e parë

Më 12 nëntor 2025, OSHP-ja nxori vendimin me numër 2025/0992, pas ankesës së kompanisë “Gani B. Krasniqi B.I.”.

Paneli Shqyrtues konstatoi se gjatë vlerësimit të ofertave, ATK-ja kishte bërë shkelje dhe kishte rekomanduar për kontratë një operator që, sipas gjetjeve të OSHP-së, nuk i plotësonte kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit.

Për këtë arsye, OSHP-ja anuloi njoftimin e ATK-së dhe e obligoi institucionin që procedurën ta kthente në rivlerësim të plotë, duke kërkuar që kriteret e dosjes së tenderit të zbatoheshin në mënyrë të drejtë.

ATK-ja e kreu rivlerësimin, por vendimi i ri solli një tjetër ankesë.

Për herë të dytë, OSHP-ja e kthen tenderin në rivlerësim

“Gani B. Krasniqi B.I.” u ankua sërish në OSHP pasi u eliminua nga gara.

Në vendimin e dytë, OSHP-ja konstatoi se ATK-ja nuk e kishte zbatuar në mënyrën e duhur vendimin e saj të mëparshëm.

Një prej pikave më të rëndësishme të vendimit lidhej me standardet e përdorura gjatë vlerësimit.

Sipas gjetjeve të Panelit Shqyrtues, ATK-ja kishte eliminuar operatorin “Gani B. Krasniqi B.I.”, ndonëse më herët e kishte konsideruar të përgjegjshëm, ndërsa për operatorin e propozuar për kontratë kishte pranuar dokumentacionin dhe përmbushjen e kritereve në një mënyrë që OSHP-ja e kishte vënë në pikëpyetje.

OSHP-ja e anuloi edhe këtë njoftim dhe urdhëroi një tjetër rivlerësim.

Në të njëjtën kohë, Paneli Shqyrtues i lëshoi vërejtje zyrtare zyrtarit përgjegjës të prokurimit në ATK, Azem Durakut.

Pavarësisht vërejtjeve, e njëjta kompani shpallet sërish fituese

Më 29 janar 2026, ATK-ja publikoi vendimin e radhës pas rivlerësimit.

Rezultati ishte sërish i njëjtë: “Mirsad Gashi B.I.” u shpall fituese e të katër pjesëve të tenderit.

Vlerat e pjesëve të fituara nga kompania ishin: Pjesa 1 – 5,851.62 euro; Pjesa 2 – 6,188.80 euro; Pjesa 3 – 3,620.91 euro dhe
Pjesa 4 – 5,851.66 euro.

Pra, pavarësisht se OSHP-ja kishte anuluar dy herë vendimet paraprake të ATK-së dhe kishte kërkuar rivlerësim, pas rivlerësimit të tretë institucioni përsëri arriti te i njëjti operator ekonomik.

Kompanitë rivale u eliminuan për arsye të ndryshme

Në vendimin e 29 janarit, ATK-ja ka paraqitur edhe arsyet e eliminimit të operatorëve të tjerë.

“Bastri Ademi B.I.” u skualifikua nga të gjitha pjesët, pasi sipas ATK-së nuk kishte dorëzuar sigurimin e tenderit deri në afatin e përcaktuar, konkretisht më 30 qershor 2025, në orën 10:39.

Ndërkohë, “Reforma SH.P.K.” u eliminua nga Pjesa 3 për shkak të gabimeve aritmetike në ofertë, të cilat sipas ATK-së arrinin në 9.67 për qind, mbi kufirin prej 2 për qind.

Por arsyetimi për eliminimin e “Gani B. Krasniqi B.I.” është më i veçantë.

ATK-ja ngre dilema për nënshkrimet e dokumenteve

Kompania që kishte ankimuar procedurën në OSHP u eliminua përsëri nga të gjitha pjesët. Kësaj radhe, ATK-ja ngriti pretendime për mospërputhje në nënshkrimet e dokumenteve të dorëzuara nga kompania.

Institucioni iu referua disa dokumenteve të dorëzuara gjatë procedurës, përfshirë deklaratën nën betim të 2 korrikut 2025, kërkesën për rishqyrtim të 26 shtatorit 2025 dhe ankesën në OSHP të 7 shtatorit 2025.

Në vendimin e saj, ATK-ja ka shkruar se kishte “dilema në nënshkrim të dokumenteve, sikur mos me qenë të nënshkruar nga i njëjti person”, dhe mbi këtë bazë e ka vlerësuar tenderin si të papërgjegjshëm.

ATK-ja mohon se ka shpërfillur OSHP-në

Gazeta Insajderi i ka kërkuar sqarime zyrtare Udhëheqësit të Prokurimit, Azem Duraku, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Mentor Hyseni, lidhur me vendimet e OSHP-së, rivlerësimet dhe arsyen pse e njëjta kompani është shpallur fituese për të tretën herë.

Përgjigjet janë kthyer përmes Zyrës për Komunikim të ATK-së.

Sipas institucionit, vendimet janë respektuar pasi lënda është kthyer në rivlerësim. ATK-ja argumenton se rivlerësimi nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshimin e fituesit.

Institucioni i referohet nenit 59 dhe nenit 116, paragrafi 6, të Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe nenit 67, paragrafi 7, të Rregullores 001/2022.

Sipas ATK-së, pas rivlerësimit, “i njëjti operator ekonomik është vlerësuar sërish si ofertues i përgjegjshëm me çmimin më të ulët sipas kriterit të përcaktuar”.

Për pretendimet se operatorëve ekonomikë u janë aplikuar standarde të ndryshme, ATK-ja thotë se nuk ka pasur standarde të dyfishta.

Institucioni pretendon se operatori i propozuar për kontratë i ka përmbushur kërkesat teknike dhe administrative, ndërsa operatorët e eliminuar nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar.

ATK-ja përmend, ndër të tjera, lejen e ndërtimit dhe dokumentacionin kadastral, ndërsa për dëshmitë e përmbushjes së obligimeve thotë se operatori fitues ka dëshmuar përmbushjen për tri vitet e fundit.

ATK-ja: Paditë ndaj vendimeve të OSHP-së janë në gjykatë

Në përgjigjen e saj, ATK-ja ka bërë të ditur se ndaj vendimeve të panelit njëanëtarësh të OSHP-së janë paraqitur padi në gjykatë, të cilat ende janë në trajtim.

Për këtë arsye, institucioni e konsideron të ligjshëm veprimin e tij për të vazhduar me rivlerësimin dhe për të arritur përsëri te i njëjti rezultat.

“Vlerësimi i dytë është bërë në përputhje me nenin 59 dhe nenin 116 paragrafi 6 të LPP-së, si dhe nenin 67 paragrafi 7 të Rregullores 001/2022. Ndërkohë, për vendimet e panelit njëanëtarësh të OSHP-së janë paraqitur padi në gjykatë dhe ato janë ende në trajtim”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.

ATK-ja thekson se nuk ka vepruar në kundërshtim me OSHP-në, pasi vendimi është respektuar përmes kthimit të lëndës në rivlerësim.

Duke pasur parasysh se e njëjta kompani është shpallur fituese tri herë,Insajderi e ka pyetur ATK-në edhe për ndonjë marrëdhënie apo afërsi mes zyrtarëve të institucionit dhe kompanisë “Mirsad Gashi B.I.”.

“ATK deklaron se nuk ka asnjë afërsi apo marrëdhënie me kompaninë private”, thuhet në përgjigje.

Sipas ATK-së, kontrata i është propozuar kompanisë vetëm mbi bazën e vlerësimit të ofertës si të përgjegjshme dhe çmimit më të ulët./Insajderi



OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark