Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vendi ndodhet në “paqartësi të thella kushtetuese”, ndërsa ka theksuar se LDK-ja është “e arsyeshme” dhe e ndërgjegjshme se duhet gjetur një zgjidhje.
Pas takimit të radhës me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Abdixhiku tha se partia më e vjetër në vend nuk është “vagon” i ndonjë subjekti tjetër politik.
Ai u pyet nëse përmes këtyre takimeve, në një kohë kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, po i mundësohet LVV-së që të fitojë kohë dhe t’i afrojë zgjedhjet e reja sa më pranë fundit të vitit.
“Në qoftë se dikush ende beson se LDK-ja është vagon i ndonjë partie tjetër, kohët kanë ndryshuar shumë. LDK-ja është e LDK-së, vetëm e anëtarësisë së LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se duhet bërë “përpjekje që të gjejmë zgjidhje”.
“Kosovës i duhet arsyeja dhe rezoni për stabilitet, dhe për këtë po përpiqemi. Nuk është e lehtë. Gjëja më e lehtë që ta bësh në Kosovë është të tërhiqesh dhe ta lësh vendin të shkojë në kriza të vazhdueshme pa asnjë zgjidhje”, deklaroi ai.
Abdixhiku dhe Kurti thanë pas takimit në Kuvend se kishin diskutuar për emra konkretë për President, ndërsa paralajmëruan se do të ketë edhe takime të tjera.
Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse kanë kaluar pothuajse tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht, u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi tha se do të ishte e padobishme që të zgjidhej kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja. e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.
LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60-ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.