Tri bashkime kompanish kanë hyrë në garën për koncesionin 35-vjeçar të autostradës Milot–Balldren. Secili prej tyre ka paraqitur saktësisht të njëjtën ofertë: 364,732,924 euro pa TVSH.
Asnjë euro më pak se vlera e parashikuar nga Ministria e Infrastrukturës. Asnjë dallim mes ofertave financiare. Tri zarfe dhe një çmim i vetëm, i njëjtë deri në euro.
Në një procedurë që qeveria e quan konkurruese, kompanitë nuk kanë konkurruar përmes çmimit. Shteti ka përcaktuar vlerën, ndërsa të tre ofertuesit e kanë pranuar atë në tërësi. Ministria ka skualifikuar dy bashkime dhe i ka dhënë 93 pikë nga 100 bashkimit të përbërë nga “Salillari”, “Alb Tiefbau”, “InfraKonsult” dhe “Erald-G”.
Bashkimi “4 A-M”, “Yüksel İnşaat”, “Seed Consulting” dhe “Transport Highway Consulting” ka humbur garën pasi nuk ka zgjatur vlefshmërinë e sigurimit të ofertës.
Ministria ka skualifikuar edhe bashkimin A.N.K, “Gjoka Konstruksion” dhe “A&E Engineering”, duke renditur si mangësi kapitalet e veta, planin e biznesit, personelin teknik dhe dokumentacionin për ndërtimin.
Pas këtyre skualifikimeve, në garë ka mbetur vetëm bashkimi i drejtuar nga “Salillari”, me të njëjtin çmim që kishte përcaktuar shteti.
Pyetja kryesore nuk lidhet vetëm me emrin e fituesit, por me vetë garën: Si është e mundur që tri kompani të ndryshme të paraqesin saktësisht të njëjtën ofertë prej 364,732,924 eurosh, pa devijuar as me një euro?
Nëse dokumentet e tenderit e kanë trajtuar këtë shumë si fond maksimal, kompanitë kanë pasur mundësi të ofronin më pak dhe të konkurronin përmes çmimit. Nëse autoriteti e ka kthyer këtë shumë në një çmim të pandryshueshëm, atëherë publiku duhet të mësojë se çfarë vlere ka pasur konkurrenca dhe mbi cilat elemente është përzgjedhur fituesi.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka njoftuar më 5 qershor 2026 se ministria kishte shpallur fituesin. Ndërkaq, Buletini i Prokurimeve e ka publikuar zyrtarisht emrin e fituesit vetëm më 20 korrik, pra 45 ditë më vonë.
Ministria duhet të sqarojë se çfarë vendimi kishte marrë komisioni më 5 qershor, kur e kishte përfunduar vlerësimin dhe pse publikimi zyrtar kishte ardhur pas një muaji e gjysmë. Procesverbalet e komisionit do të tregonin nëse ministri kishte njoftuar një vendim të përfunduar apo kishte paraprirë procedurën administrative.
Edhe pas shpalljes së fituesit, të dhënat kryesore mungojnë.
Regjistri i Open Procurement Albania nuk paraqet datën e lidhjes së kontratës, vlerën përfundimtare të kontraktuar, afatin konkret të ndërtimit, ndarjen e pjesëmarrjes ndërmjet katër kompanive dhe planin financiar të ofertës fituese.
Autoriteti ka shpallur fituesin, por regjistri publik ende nuk provon se palët e kanë nënshkruar kontratën. Publiku njeh emrat e kompanive dhe shumën e parashikuar, por nuk i njeh detyrimet përfundimtare që secila palë ka marrë përsipër.
Ky informacion nuk përbën thjesht hollësi teknike. Kontrata duhet të tregojë se kur nis koncesioni 35-vjeçar, sa kohë ka privati për ndërtimin, çfarë penalitetesh paguan për vonesat, si ndahet projekti mes kompanive, sa kapital vendos secila prej tyre dhe cilat institucione financiare do ta mbështesin investimin.
Po ashtu, ajo duhet të tregojë tarifat e kalimit, formulën e rritjes së tyre dhe garancinë që shteti mund t’i japë koncesionarit në rast se trafiku nuk arrin parashikimet. Pa këto të dhëna, askush nuk mund të llogarisë detyrimin real që projekti u ngarkon qytetarëve dhe buxhetit.
Ministria thotë se nga shuma prej 364.7 milionë eurosh, rreth 182.5 milionë euro mbulojnë ndërtimin. Projektimi kushton 3.65 milionë euro, sistemi elektronik i pagesës 10.12 milionë euro, operimi rreth 84.98 milionë euro dhe mirëmbajtja 83.43 milionë euro.
Pra, përtej ndërtimit, kontrata parashikon rreth 168.4 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen. Publiku duhet të dijë se çfarë shërbimesh konkrete do të paguajë me këtë shumë, sa shpesh do të kryhen ndërhyrjet dhe si do ta kontrollojë shteti zbatimin e tyre.
Projekti Milot–Balldren ka kaluar tetë vjet mes propozimeve të pakërkuara, kontratave të dështuara, anulimeve dhe tenderëve të përsëritur.
Qeveria ia dha fillimisht projektin A.N.K-së në vitin 2018. Projekti nuk nisi. Qeveria e anuloi dhe hapi një procedurë tjetër, të cilën e mbylli pa fitues në gusht 2025.
Më pas shpalli garën e re, ku të tre ofertuesit paraqitën pikërisht të njëjtën shumë.
Pas gjithë këtij historiku, qeveria nuk mund t’i kërkojë publikut të mjaftohet vetëm me një emër dhe një njoftim.
Ministria duhet të publikojë kontratën, planin financiar, raportin e plotë të pikëzimit dhe procesverbalet e komisionit.
Deri atëherë mbeten dy fakte: të tre konkurrentët kanë ofruar të njëjtin çmim dhe fituesi ka marrë të gjithë vlerën që kishte parashikuar shteti.
Në një garë të vërtetë, konkurrentët përpiqen ta ulin çmimin ose ta rrisin përfitimin publik. Në rastin e Milot–Balldrenit, çmimi nuk ka lëvizur as edhe një euro. Ka lëvizur vetëm emri i fituesit./Pamfleti/