Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka performuar në Manhattan të New Yorkut, duke qenë e ftuar në emisionin e njohur të mëngjesit “Today”, në kuadër të serisë së koncerteve Citi Concert Series.
Artistja 36-vjeçare është ngjitur në skenë për të interpretuar disa prej këngëve të saj, ndërsa gjatë paraqitjes në program ka dhënë edhe një intervistë ku ka folur për albumin e saj më të fundit, “Dirty Blonde”, të publikuar në qershor.
Por intervista mori një kthesë të veçantë kur Bebe u befasua live nga familjarët e saj.
Gjatë transmetimit, në ekran u shfaqën babai i saj, Flamur Rexha, nëna Bukurije Rexha dhe kunata Dorina, të cilët po e ndiqnin intervistën e saj.
Prezantuesi e surprizoi këngëtaren duke i thënë: “Një përshëndetje për dy prindërit e tu dhe kunatën tënde”, para se kamera të kalonte te familjarët e saj.
E emocionuar, Bebe iu drejtua atyre me shumë dashuri.
“Ju dukeni kaq bukur, kaq të mrekullueshëm! Babai im ka qenë duke qarë gjatë gjithë kohës”, tha ajo mes emocioneve.