Insajderi
Lajme

Betohen anëtarët e rinj të KQZ-së, Haxhiu flet pas ceremonisë, PDK mbetet pa anëtarin e dytë

Insajderi
31 August 2026 - 12:17
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Betohen anëtarët e rinj të KQZ-së, Haxhiu flet pas ceremonisë, PDK mbetet pa anëtarin e dytë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nëntë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë dhënë këtë të martë betimin në një ceremoni zyrtare, pasi janë propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Pas ceremonisë së betimit, ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është deklaruar lidhur me anëtarët e rinj të KQZ-së.

“Secilit prej tyre i urova suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme për garantimin e proceseve demokratike në vend. Kosova ka dëshmuar se ka një sistem zgjedhor të konsoliduar dhe ky standard duhet të ruhet e të forcohet vazhdimisht”, ka shkruar Haxhiu.

Megjithatë, gjatë ceremonisë së sotme, emri i dytë i anëtarit të PDK-së nuk u emërua.

Në prill të këtij viti, PDK-ja kishte kërkuar nga Haxhiu emërimin e anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përmes një letre drejtuar Haxhiut, PDK-ja i ishte referuar nenit 139, paragrafit 4 të Kushtetutës së Kosovës, duke argumentuar se kësaj partie, në këtë rast, i takojnë dy anëtarë në KQZ.

Në anën tjetër, VV-ja kishte kërkuar që subjekti të përfaqësohej me tre anëtarë, duke u bazuar në numrin e votave të marra.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të papranueshme kërkesën e ish-presidentes Vjosa Osmani për sqarim lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas aktvendimit të Kushtetueses, me të cilin ishte deklaruar e papranueshme kërkesa për konflikt kompetencash ndërmjet Presidentes dhe grupeve parlamentare, PDK-ja kishte kërkuar sërish emërimin e anëtarit të dytë në KQZ. Megjithatë, kjo çështje nuk ishte përfunduar gjatë mandatit të Osmanit.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha shqiptare të përfaqësuara në Parlament, një anëtar emërohet nga radhët e komunitetit serb, ndërsa tre të fundit nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark