Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në protestën e komunave të mbajtur para Qeverisë, ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç tha, bllokimin dhe ndëshkimin e komunave që nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje.
Ai aty ka përmendur proceset gjyqësore të ministrave të Kurtit.
“Shikojeni kush i udhëheq këto institucione. Këto institucione sot po i udhëheqin njerëzit që dikur i kanë djegur e i kanë sulmuar me tulla e me gaz lotësjellës pikërisht këto institucione. Fatkeqësia edhe më e madhe është që sot, sot, ministri përgjegjës për sigurinë gjykohet për cenim të sigurisë. Ministri që sot e udhëheq policinë, dikur, dikur e ka sulmuar fizikisht policinë tonë, e ka rrezikuar jetën e tyre duke i sulmuar. Paramendoni çfarë paradoksi! Fatkeqësia është që ministrja që duhet me përfaqësu diplomacinë e Kosovës sot akuzohet pikërisht me sulmin ndaj institucioneve që sot ajo vetë i përfaqëson. Paramendoni kush na përfaqëson! Fatkeqësia tjetër është që kryetarja e Kuvendit, e cila duhet të jetë shembulli më i lartë i respektit dhe integritetit institucional, është akuzuar publikisht se ka kontrabanduar gaz lotësjellës brenda këtyre institucioneve të Kosovës, duke i rrezikuar të gjithë njerëzit brenda tyre e duke i dëmtuar institucionet e shtetit tonë. Dhe për më tepër, për më tepër, për ta udhëhequr kuvendin e Republikës së Kosovës, për të cilin në këtë shesh është derdhur gjak”, tha Rama.