Gazetari Parim Olluri, i ftuar në emisionin “Pressing” në T7, ka kritikuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, lidhur me zhvillimet dhe situatën e krijuar brenda kësaj partie.
Olluri ka hedhur kritika ndaj Abdixhikut pasi ky i fundit përmendi emrat e disa deputetëve të LDK-së, të cilët kanë dalë kundër marrëveshjes së tij me Albin Kurtin për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
“Njeri që s’e ka përkrahjen e shumicës mrena partisë së tij, me dalë në konferencë edhe me i përmend kolegët e tij me emra, Shala, Gashi, Ymeri, Hoti, Zemaj, po e bllokojnë vendin, nuk po e votojnë kandidatin tem dhe kandidatin e Albinit, dhe këta po na çojnë në drejt zgjedhjeve, dhe të nesërmen, sot, del edhe thotë shkova i raportova Albin Kurtit se çka ndodhi brenda LDK-së, edhe i tregova kush i ka fajet. Kujna po i tregon o zotni, kujt, një njeri që para tri javësh të ka ofendu dhe poshtëru”, ka thënë Olluri.