Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka deklaruar se do ta padisë sërish deputetin Glauk Konjufca, lidhur me një deklaratë të tij publike në një paraqitje televizive, ku kishte thënë se “edhe Janina Ymeri ka biznes në sektorin energjetik”.
Ymeri ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë i ka kërkuar që ta përmirësojë padinë për shpifje, duke i dhënë një afat prej vetëm tre ditësh.
Ajo ka thënë se nuk ka mundur ta bëjë këtë brenda dy ditëve të mbetura, por ka paralajmëruar se do ta padisë sërish Konjufcën.
“Padia për shpifje kundër tashmë deputetit Glauk Konjufca më është kthyer për përmirësim me një afat prej vetëm 3 ditësh. Në të kundërt, do të konsiderohet se padia është tërhequr.
Është e çuditshme si kërkesë, por nuk po e kontestoj aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Marrë parasysh kohën që kisha në dispozicion dhe planet e mia paraprake, ka qenë e pamundur ta përmirësoja padinë për 2 ditë (dita e parë nuk llogaritet, sepse lajmi erdhi në mesditë kur isha në Kuvend).
Sido që të jetë, do ta ngre sërish padinë për shpifje kundër të njëjtit person, duke marrë parasysh çdo kërkesë të aktvendimit.
Gjithashtu koha prej 3 ditësh, mjaft e paarsyeshme si afat, nuk do më ndalojë të riinicioj procesin kur e di të drejtën.
E drejta është që unë kam luftuar siç bëj edhe sot, mafinë energjetike, ndërsa Glauk Konjufca ka shpifur që merrem me tregti elektrike”, ka shkruar Ymeri.