Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet R.K, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve.
Insajderi merr vesh se bëhet fjalë për Resmi Kocën, pronar i A.R.F. SH.P.K.

Sipas aktakuzës, Koca, si pronar dhe përfaqësues, dyshohet se gjatë një tenderi të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë për furnizim me libra të protokollit, ka paraqitur dokumente të rreme, shkruan Insajderi.
Prokuroria pretendon se në tender janë përdorur CV, kontratë pune dhe certifikatë universitare në emër të një personi tjetër, pa dijeninë e tij.
Ai dyshohet gjithashtu se ka falsifikuar një kontratë pune dhe e ka paraqitur atë si dokument origjinal në procedurën e prokurimit.
Edhe personi juridik dyshohet se ka përdorur dokumentacion të rremë për të ndikuar në vendimin e autoritetit kontraktues dhe për të përfituar kontratën.
Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Tenderi i Spitalit të Pejës që i nxori telashe
Më 25.06.2025, Spitali i Përgjithshëm i Pejës kishte njoftuar se, për tenderin “Furnizim me libra të protokollit”, nuk e kishte përzgjedhur kompaninë A.R.F. SH.P.K.
Spitali, në arsyetim, kishte kërkuar sqarime përmes letrës standarde për sqarimin e tenderit, të datës 16.06.2025, lidhur me sqarimin e dëshmive për stafin profesional të kualifikuar në këtë lami, konkretisht: “Një dizajner i dizajnit grafik me përvojë pune 3 vite pas diplomimit”.
O.E. “A.R.F.” SH.P.K., nuk i kishte kthyer përgjigje .

Ndërsa tashmë prokuroria i ka ngritur aktakuzë, pronarit nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik./insajderi.org/