Insajderi
Lajme

Aeroplani luftarak F-16 rrëzohet pranë një baze amerikane në Gjermani

Insajderi
22 September 2026 - 16:50
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Aeroplani luftarak F-16 rrëzohet pranë një baze amerikane në Gjermani
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një aeroplan ushtarak është rrëzuar të martën në territorin e bazës ajrore amerikane Spangdahlem, në perëndim të Gjermanisë.

Sipas informacioneve të para, nga aksidenti është lënduar një person.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Eifelit, në landin Renania-Palatinat. Autoritetet e distriktit Bitburg-Prüm kanë konfirmuar se në vendngjarje janë dërguar ekipe të zjarrfikësve dhe shërbimet e emergjencës.

“Për momentin nuk mund të japim informacione lidhur me rrethanat e aksidentit apo detaje të tjera”, kanë deklaruar autoritetet lokale, raportojnë mediat e huaja, përcjell Insajderi.

Forcat Ajrore të SHBA-së ende nuk kanë dhënë detaje të tjera për ngjarjen. Po ashtu, nuk është konfirmuar zyrtarisht se çfarë lloji i aeroplanit është rrëzuar dhe as shkaku i aksidentit.

Në bazën ajrore Spangdahlem është e vendosur një skuadrilje me rreth 20 aeroplanë luftarakë F-16, të cilët përdoren në kuadër të operacioneve të Forcave Ajrore amerikane dhe NATO-s.

Baza ka rreth 5 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak dhe civil, ndërsa në të jetojnë edhe familje të personelit. Aty janë të punësuar gjithashtu rreth 700 deri në 800 shtetas gjermanë.

Ky nuk është incidenti i parë i tillë në afërsi të bazës. Në tetor të vitit 2019, një F-16 amerikan u rrëzua gjatë një fluturimi rutinë stërvitor në një zonë pyjore pranë Zemmer-Rodt, jo larg Spangdahlem. Piloti kishte arritur të katapultohej dhe kishte pësuar vetëm lëndime të lehta.

Forcat Ajrore amerikane janë të pranishme në Spangdahlem që nga mesi i viteve 1950. Së bashku me bazën ajrore Ramstein, pranë Kaiserslauternit, ajo konsiderohet një prej bazave kryesore ushtarake amerikane në Gjermani. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark