Insajderi
Lajme

Aktakuza për fajde ndaj biznesmenit Zekë Jasiqi, dështon seanca

Insajderi
23 September 2026 - 15:37
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Aktakuza për fajde ndaj biznesmenit Zekë Jasiqi, dështon seanca
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Seanca gjyqësore ndaj biznesmenit Zekë Jasiqi, i akuzuar për fajde dhe detyrim ndaj biznesmenit Faton Dalladaku, ka dështuar të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e prokurorit, njërit prej dëshmitarëve dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar.

Rasti lidhet me një borxh prej 160 mijë eurosh dhe një shtëpi në Fshatin Amerikan, me vlerë rreth 700 mijë euro.

Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se Jasiqi, gjatë periudhës shtator 2014–shkurt 2015, përmes presionit dhe kanosjeve, i kishte imponuar Dalladakut një borxh prej 160 mijë eurosh, për të cilin pretendohet se nuk kishte ekzistuar.

Në aktakuzë thuhet se më pas Dalladaku kishte kërkuar 200 mijë euro hua për të paguar këstin e fundit të shtëpisë në Fshatin Amerikan. Për këtë pronë, sipas Prokurorisë, Dalladaku kishte paguar paraprakisht 500 mijë euro.

Prokuroria pretendon se më pas ishte lidhur një marrëveshje për një detyrim prej 360 mijë eurosh, me kamatë mujore prej një për qind.

Sipas aktakuzës, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, shtëpia kishte kaluar në emër të Jasiqit. Dalladaku, sipas Prokurorisë, kishte mbetur pa pronën dhe pa 500 mijë eurot e investuara paraprakisht.

Jasiqi i ka mohuar akuzat.

Në shqyrtimin fillestar, të mbajtur më 27 tetor 2023, ai ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.

Mbrojtja e tij kishte kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se paratë ishin dhënë për veprimtari biznesore dhe se kamata ishte përcaktuar me marrëveshje për mbulimin e kostos së huamarrjes bankare.

Seanca e radhës do të caktohet nga Gjykata.

Çka tjetër thuhet në aktakuzë?

Përveç pretendimeve për borxhin prej 160 mijë eurosh dhe shtëpinë në Fshatin Amerikan, Prokuroria në aktakuzë përshkruan edhe marrëdhëniet e mëhershme mes Faton Dalladakut dhe personave të tjerë, si dhe gjendjen e tij financiare në atë periudhë.

Sipas aktakuzës, Dalladaku kishte qenë më herët viktimë e fajdexhinjve dhe, si pasojë e gjendjes së tij financiare, kishte humbur edhe një pronë prej rreth 10 hektarësh, të cilën më parë ua kishte shitur me mirëbesim Zekë Jasiqit, Vllaznim Kelmendit dhe Flurim Shalës.

Prokuroria pretendon se Jasiqi, duke qenë në dijeni për gjendjen financiare të Dalladakut, kishte parë mundësinë për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga ai.

Në aktakuzë përmenden edhe transaksione bankare, marrëveshje dhe dokumente të tjera që, sipas Prokurorisë, lidhen me transaksionet mes palëve. Një pjesë e shumave, sipas aktakuzës, ishte transferuar në llogarinë e Burim Pllanës.

Prokuroria ka administruar edhe dëshminë e Dalladakut, si dhe dëshmitë e disa personave të tjerë, mes tyre Muharrem Hajdaraj, Flurim Shala, Vllaznim Kelmendi, Arsim Durmishi, Bashkim Ajdini dhe Bajram Plakiqi.

Në aktakuzë, Prokuroria pretendon se veprimet e Jasiqit kanë rezultuar me kalimin e shtëpisë në Fshatin Amerikan në emër të tij, duke lënë Dalladakun pa pronën dhe pa 500 mijë eurot që kishte paguar paraprakisht.

Në anën tjetër, mbrojtja e Jasiqit i ka kundërshtuar këto pretendime. Avokati Tahir Rrecaj ka deklaruar se klienti i tij nuk do ta pranojë fajësinë dhe se mbrojtja beson se nuk ka prova për akuzat.

Sipas avokatit, shumat e përmendura në aktakuzë Dalladaku ia kishte kërkuar Jasiqit si borxh për të bërë biznes, ndërsa kamata prej një për qind ishte përcaktuar për të mbuluar koston e parave që Jasiqi i kishte marrë nga banka përmes overdraftit.

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark