Gjatë ditës së djeshme, ushtruesja e detyrës së presidentës, Albulena Haxhiu, u ka bërë ftesë familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së për një takim pas vendimit të Gjykatës Speciale. Mirëpo, në një përgjigje publike, ata kanë kërkuar nga Haxhiu që ky takim të zhvillohet vetëm pas një vendimi nga Kuvendi i Kosovës.
Letra e përbashkët është bërë publike nga ana e djalit të Jakup Krasniqit, Altinit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Letra e plotë e familjeve Thaçi, Veseli dhe Krasniqi:
Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente.
Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë.
Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara.
E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit.