Cristiano Ronaldo ka pranuar hapur se e ka shqyrtuar seriozisht mundësinë e tërheqjes nga Kombëtarja e Portugalisë pas eliminimit nga Kupa e Botës 2026. Megjithatë, sulmuesi 41-vjeçar ka marrë vendimin për ta vazhduar karrierën e tij ndërkombëtare, ndërsa vëmendjen e ka përqendruar te arritja e shifrës historike prej 1,000 golash me klubet dhe përfaqësuesen.
Portugalia u eliminua nga Spanja në fazën e 1/8-ave të finales së Botërorit, pas humbjes 1-0 më 6 korrik. Në atë kohë, Ronaldo konfirmoi se kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit në një Kupë Bote, por abstenoi nga marrja e një vendimi të menjëhershëm sa i përket të ardhmes me Kombëtaren.
Në prag të përballjes kundër Uellsit në Ligën e Kombeve, kapiteni portugez zbuloi se kishte reflektuar gjatë për të ardhmen dhe se bisedat me drejtuesit e federatës dhe stafin teknik patën rol përcaktues në bindjen e tij për të vazhduar.
“Po, mendova të tërhiqesha”
I pyetur nëse kishte menduar ta përfundonte karrierën me Portugalinë, Ronaldo dha një përgjigje mjaft të drejtpërdrejtë:
“Po, e kam menduar. Natyrisht, mendoj gjithmonë për vendimet e mia, për të ardhmen dhe të tashmen. Jam njeri që reflektoj; duhet të mendosh. Fakti që më shihni këtu tani do të thotë se do të vazhdoj”, deklaroi ai, sipas “The Guardian”.
Dëshira për të ndihmuar brezin e ri të Portugalisë
Ronaldo shpjegoi se pas përfundimit të Botërorit zhvilloi biseda me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, si dhe me përzgjedhësin Jorge Jesus. Pas këtyre diskutimeve, ai arriti në përfundimin se ka ende kapacitet për të qenë i dobishëm për Kombëtaren.
Sulmuesi nënvizoi se kontributi i tij nuk duhet parë vetëm te shënimi i golave, por edhe te përvoja e madhe dhe mbështetja që mund t’u ofrojë futbollistëve të rinj. Megjithatë, objektivi i tij parësor mbetet ai tradicionali: të jetë i pranishëm në fushë, të shënojë dhe ta ndihmojë Portugalinë të korrë fitore.
“Kur të mos kem më çfarë t’i jap ekipit, do të largohem”
Kapiteni i Portugalisë bëri të qartë se nuk synon të qëndrojë në ekip vetëm për shkak të emrit apo arritjeve të kaluara. Ai siguroi se do të largohet nëse drejtuesit nuk e shohin më si të nevojshëm, ose nëse vetë e kupton se nuk po jep më kontributin e duhur.
“Do të jem i pari që do ta marr valixhen dhe do të largohem”, u shpreh Ronaldo, duke shtuar se besimi i tifozëve portugezë është një nga shtysat kryesore që e mban në fushë.
“Portugezët mbështeten tek unë. Prandaj jam ende këtu. Shikoni shifrat, ende po luaj mirë”, deklaroi 41-vjeçari, duke nënvizuar se do të mbetet gjithmonë një tifoz i zjarrtë i Kombëtares edhe pasi të jetë tërhequr përfundimisht.
Objektivi historik: 1,000 gola në karrierë
Pasi konfirmoi vazhdimësinë me përfaqësuesen, Ronaldo ka vendosur fokusin te një tjetër rekord monumental. Sulmuesi i Al-Nassr numëron aktualisht 979 gola me klubet dhe Kombëtaren, që do të thotë se e ndajnë vetëm 21 gola nga shifra prej 1,000 golash. Ronaldo po ashtu pranoi se do të ishte veçanërisht domethënëse nëse golin e tij të 1,000-të do ta realizonte me fanellën e Portugalisë.
Kundër Uellsit drejt paraqitjes së 234-t me Portugalinë
Vëmendja e Ronaldos tani është e përqendruar te ndeshja e së enjtes, më 24 shtator, kundër Uellsit në kuadër të Ligës së Kombeve. Sfidat do të zhvillohet në Lisbonë, në stadiumin “José Alvalade” vendi ku Ronaldo nisi hapat e parë të karrierës me Sportingun përpara transferimit te Manchester United.
Nëse zbret në fushë, kjo do të shënojë paraqitjen e tij të 234-t me Kombëtaren portugeze. Përzgjedhësi Jorge Jesus ka konfirmuar tashmë se Ronaldo do të startojë si titullar kundër Uellsit, ndeshje kjo që shënon edhe debutesën e trajnerit të ri në krye të stolid të Portugalisë.
Pavarësisht se në shkurt të vitit të ardhshëm do të mbushë 42 vjeç, Ronaldo e ka bërë të qartë se nuk ndihet ende gati t’i japë fund kapitullit me Portugalinë. Për sa kohë që do të ndihet i aftë për të kontribuar, ai synon të vazhdojë të realizojë gola dhe t’i afrohet objektivit historik prej 1,000 golash.