Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se Kosova po përballet me një krizë të thellë të klasës politike, duke e lidhur atë me reagimet pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Përmes një fotografie të publikuar nga Kuvendi i Kosovës, Musliu ka shkruar se 16 shtatori, kur u shpall aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nxori në pah, sipas saj, “boshllëkun e madh politik” që po e përjeton vendi.
“16 shtatori nuk nxori në pah vetëm një aktgjykim. Nxori në pah edhe boshllëkun e madh politik që po e përjeton Kosova. Përballë një momenti historik, kur duhej guxim, qëndrim, vizion dhe përgjegjësi, shumëkush zgjodhi heshtjen, kalkulimin dhe rehatinë politike”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka kritikuar klasën politike, duke thënë se në vend të udhëheqjes po kërkon strehë pas deklaratave, ndërsa në vend të vendimeve, sipas saj, kërkon arsyetime.
“Sot kemi një klasë politike që në vend të udhëheqjes shpesh kërkon strehë pas deklaratave; në vend të vendimeve kërkon arsyetime; e në vend të guximit politik zgjedh heshtjen”, ka deklaruar ajo.
Musliu e ka cilësuar këtë si “krizë të thellë të përgjegjësisë politike”, duke thënë se 16 shtatori e bëri të pamundur që kjo gjendje të fshihet më pas “fasadës”.
“Kosova ka nevojë për politikanë që kur vendi përballet me momentet më të vështira nuk matin koston e karrierës së tyre, por matin peshën e përgjegjësisë ndaj Kosovës. Historia nuk i mban mend ata që heshtën kur duhej të flisnin. I mban mend ata që patën guximin të qëndrojnë”, ka shkruar Musliu.