Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë kompanisë “Santefarm” kontrata në vlerë prej mbi 5.1 milionë euro për furnizim me barna, ndërsa të dhënat publike për historikun e kompanisë tregojnë për lidhje të hershme të saj me një biznesmen serb dhe një grup farmaceutik me seli në Beograd.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, të publikuar më 21 shtator, “Santefarm” është shpallur fituese e tri loteve për furnizim me barin Emicizumab, shkruan Insajderi.
Vlera e përgjithshme e këtyre tri loteve është 5 milionë e 141 mijë e 955 euro.
Për Lotin 6 janë kontraktuar 374 copë të barit Emicizumab 30 mg/1 mL, në vlerë prej 554 mijë e 600 eurosh.
Loti 7 përfshin 1 mijë e 156 copë të Emicizumab 60 mg/0.4 mL, me vlerë prej 3 milionë e 424 mijë eurosh, ndërsa për Lotin 8 janë kontraktuar 196 copë të Emicizumab 150 mg/mL, në vlerë prej 1 milion e 162 mijë eurosh.

Por, përtej vlerës së këtij tenderi, historiku i kompanisë “Santefarm” tregon për një marrëdhënie biznesore që shtrihet përtej Kosovës.
Nga bashkëpronësia me një shtetas serb te partneriteti me një grup në Beograd
Santefarm është themeluar në vitin 2006.
Sipas të dhënave publike të regjistrimit të biznesit, në periudhën e themelimit kompania ishte në bashkëpronësi të Milaim Abdullahut dhe shtetasit serb Miomir Nikolliq.
Nikolliq kishte qenë bashkëpronar i kompanisë që nga themelimi i saj, ndërsa më vonë aksionet e tij u bartën te “Sante Pharm Medical LLC”, kompani e regjistruar në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2022, këto aksione iu bartën përsëri Milaim Abdullahut, duke e bërë atë pronar të plotë të “Santefarm”-it.
Pra, pronësia aktuale e kompanisë kosovare nuk është e njëjtë me atë të periudhës kur Nikolliq ishte bashkëpronar.

Megjithatë, lidhja biznesore me një grup farmaceutik me seli në Beograd vazhdon të jetë e deklaruar publikisht.
Bëhet fjalë për grupin “ERGO WBS”, i cili në faqen e tij zyrtare e paraqet kompaninë kosovare “Santefarm” si “partner” të grupit.

Në të njëjtën strukturë të publikuar nga ERGO WBS figuron edhe “Farmalogist DOO” nga Beogradi, kompani që është pjesë e këtij grupi.
Farmalogist është në pronësi të Miomir Nikolliq (ish-bashkëpronari) dhe Lovorka Nikolliq.
Mbi 40 milionë euro nga institucionet publike
Santefarm është bërë ndër kompanitë që kanë përfituar shuma të konsiderueshme nga kontratat publike për furnizim me barna.
Sipas të dhënave publike të prokurimit, gjatë katër viteve të fundit kompania është shpërblyer me dhjetëra kontrata nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me vlerë të përgjithshme që kalon 40 milionë euro.
Një pjesë e madhe e këtyre kontratave lidhet me furnizimin me barna nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për Listën e Barnave Esenciale.
Në vitin 2021, Santefarm kishte fituar një tender në vlerë prej rreth 633 mijë eurosh.
Ndërsa në vitin 2025, kompania i përmbylli procedurat e prokurimit me nëntë tenderë, me vlerë të përgjithshme prej rreth 8.11 milionë eurosh.
Edhe viti 2026 ka nisur me kontrata të mëdha për kompaninë.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Santefarm është shpërblyer me një tender në vlerë prej rreth 5.3 milionë eurosh.
Ndërsa tash, në shtator, Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë kompanisë edhe tri lote të tjera, në vlerë prej mbi 5.1 milionë eurosh. /Insajderi.org/