Policia e Kosovës ka anuluar tenderin për furnizimin me qen zyrtarë, pasi procedura e negociuar që kishte nisur për këtë qëllim nuk mund të përmbyllej për shkak të falimentimit të një kompanie në Hungari.
Bëhet fjalë për një aktivitet prokurimi me vlerë të parashikuar prej 65 mijë eurosh, për furnizimin e Policisë me 10 qen zyrtarë.
Dosja e tenderit, tregon se Policia e Kosovës e kishte zhvilluar procedurën si procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në bazë të nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Sipas dosjes, furnizimi parashihej të bëhej për Njësinë K9 të Policisë së Kosovës, ndërsa qentë do të selektoheshin dhe testoheshin në Hungari nga zyrtarët policorë.
Por, procedura përfundoi pa kontratë.
Në përgjigjen e dhënë për Gazetën Insajderi, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aktiviteti është anuluar pasi kompania në shtetin Hungarez ka falimentuar.
“AK Policia e Kosovës, Drejtoria e Prokurimit, pasi ka pranuar njoftim zyrtar se kompania në shtetin Hungarez ka falimentuar, dhe si rrjedhojë është mbyllur me vendim të gjykatës, në harmoni me nenin 62 të LPP-së ka anuluar aktivitetin në pamundësi të kontraktimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sipas Policisë, problemi lidhej me faktin se të dy kompanitë e përfshira në procedurë ishin të autorizuara nga kompania hungareze që kishte falimentuar.

Policia i referohet konkretisht kompanisë “Intercanine kft”, e cila e kishte njoftuar autoritetin kontraktues se kompania në fjalë ishte mbyllur me vendim të organeve kompetente.
Dosja përcaktonte kërkesa të veçanta për qentë, përfshirë racat Malinois, Pastor Gjerman, Springer Spaniel dhe Cocker Spaniel, moshën nga 10 deri në 18 muaj, certifikatat shëndetësore dhe testime të karakterit e aftësive të tyre.
Policia kishte paraparë që kontrata publike kornizë të zgjaste 12 muaj, ndërsa dorëzimi i qenve do të bëhej brenda 30 ditësh nga lëshimi i urdhërblerjes, pas testimit dhe selektimit të tyre nga Njësia K9./insajderi.org/