Insajderi
Insporti

Nëna e Ronaldos shpërthen në lot: Ai ka dhënë shumë për Portugalinë, por nuk e vlerësojnë siç meriton

Insajderi
09 October 2026 - 11:36
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Nëna e Ronaldos shpërthen në lot: Ai ka dhënë shumë për Portugalinë, por nuk e vlerësojnë siç meriton
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, ka folur për situatën e fundit që përfshiu yllin portugez pas largimit të tij nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë, duke zbuluar edhe emocionet që përjetoi gjatë kësaj periudhe.

Në një intervistë për televizionin portugez “TV 7 Dias”, Dolores tregoi se kishte telefonuar të birin pas largimit të tij nga grumbullimi, ndërsa Ronaldo i kishte kërkuar të mos shqetësohej, duke i premtuar se do ta tregonte të vërtetën kur të gjithë të ishin së bashku.

“Pasi djali im u largua nga grumbullimi i Kombëtares, e telefonova dhe ai më tha: ‘Mami, mos u shqetëso. Do ta tregoj të vërtetën kur të jemi të gjithë së bashku’. Unë iu përgjigja: ‘Në rregull, biri im. Kaloje këtë situatë’”, rrëfeu ajo.

Dolores zbuloi se ishte përpjekur ta qetësonte Ronaldon dhe t’i jepte gjithë mbështetjen e saj, por në fund vendimi i takonte vetëm atij.

“I thashë të qëndronte i qetë, por në fund ai e mori vendimin e tij. U përpoqa t’i jepja gjithë forcën time, por kjo nuk e ndryshoi asgjë”, u shpreh nëna e pesë herë fituesit të Topit të Artë.

Ajo nuk i fshehu as pakënaqësitë për mënyrën se si, sipas saj, trajtohet djali i saj në vendin që ka përfaqësuar për kaq shumë vite. Dolores theksoi se Ronaldo ka dhënë jashtëzakonisht shumë për Portugalinë dhe se meriton më shumë vlerësim për gjithçka që ka bërë me fanellën e përfaqësueses.

“Cristiano ka dhënë shumë për Portugalinë dhe do të jetë gjithmonë aty. Ai ka qenë gjithmonë heroi i Portugalisë, por nuk ia japin vlerësimin që meriton, në mënyrën që e meriton”, deklaroi ajo.

Në fund, Dolores pranoi se kjo situatë e kishte prekur emocionalisht, duke treguar se kishte derdhur lot dhe se ndonjëherë të qash është mënyra më e mirë për t’i liruar ndjenjat.

“Kam qarë pak. Ndonjëherë të qash është mirë, sepse na ndihmon t’i nxjerrim jashtë ndjenjat që kemi brenda. Duhet ta kalojmë këtë fazë”, përfundoi ajo.

Deklaratat e nënës së Ronaldos vijnë në një periudhë të ndjeshme për yllin portugez, ndërsa fjalët e saj tregojnë se situata nuk ka qenë e lehtë as për familjen e tij.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark