
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka falënderuar kryetarin e Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, “për përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe të EPP-së për integrimet evropiane të Kosovës e veçmas për procesin e liberalizimit të vizave”.
Ai ka takuar kryetarin Daul gjatë kësaj jave në Bruksel.
“I thash se me këtë po e fuqizoni edhe më shumë orientimin proevropian dhe përkatësinë evropiane të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri ka dhëne edhe disa detaje nga takimi. “Ai, derisa unë flisja, u ngrit nxori një hartë nga sirtari e vuri para nesh dhe më tha, shihe Kosova është mjedis Evrope, por problemi ynë është që ne të kujdesemi bashkërisht për Evropën. E kuptova se dëshironte të shtonte se ka nevojë të ketë edhe sa më shumë Evropë në Kosovë, sikurse edhe Kosovë në Evropë”, ka treguar ai./Insajderi.com