Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar revizionin e Komunës së Prishtinës në kontestin pronësor për një tokë në lagjen Bregu i Diellit, duke prishur vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë. Lënda është kthyer në shkallën e parë për rigjykim, pasi Supremja ka vlerësuar se nuk është sqaruar mjaftueshëm baza juridike mbi të cilën banorëve u ishte njohur e drejta e pronësisë.
Rasti ka të bëjë me disa familje të kryeqytetit, të cilat kërkojnë njohjen e pronësisë mbi disa paluajtshmëri në Bregun e Diellit. Sipas pretendimeve të tyre, paraardhësit e familjeve i kishin blerë këto prona dhe i kishin shfrytëzuar që nga vitet 1967 dhe 1971, shkruan Reporteri.net.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte vendosur në favor të banorëve, duke ua njohur të drejtën e pronësisë mbi pronat e kontestuara. Komuna e Prishtinës e kishte kundërshtuar këtë vendim, duke ushtruar revizion në Gjykatën Supreme dhe duke kërkuar rishqyrtimin e rastit.
Gjatë kohës kur çështja po shqyrtohej në Supreme, në pranverën e këtij viti, banorët dhe disa grupe të interesit ushtruan presion ndaj Komunës së Prishtinës për ta tërhequr revizionin. Ata u grumbulluan disa herë para objektit të komunës, në atë që paraqitej si protestë.
Kërkesa e tyre ishte që Komuna ta zbatonte vendimin e Gjykatës së Apelit, pa shfrytëzuar të drejtën ligjore për ta kundërshtuar atë përmes revizionit në Gjykatën Supreme.
Disa muaj më vonë, sipas aktvendimit Rev.nr.124/2025, Gjykata Supreme e ka aprovuar revizionin e Komunës së Prishtinës, duke i prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të datës 9 shtator 2024 dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 28 tetor 2021.
Si rrjedhojë, çështja i është kthyer Gjykatës Themelore në Prishtinë për rigjykim, raporton Reporteri.net.
Supremja: Nuk është e qartë baza juridike për fitimin e pronësisë
Në aktvendimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se arsyetimi i Gjykatës së Apelit përmbante kundërthënie që e bënin të paqartë bazën juridike mbi të cilën ishte mbështetur njohja e pronësisë për paditësit.
“Gjykata Supreme, duke shqyrtuar arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, vlerëson se i njëjti është kontradiktor në atë masë sa që nuk mund të kuptohet qartë baza juridike mbi të cilën kjo gjykatë ka arritur në përfundimin se paditësit e kanë fituar të drejtën e pronësisë mbi paluajtshmëritë kontestuese”, thuhet në aktvendim.
Sipas Supremes, kjo paqartësi është thelbësore për zgjidhjen e çështjes, pasi kërkesëpadia kishte të bënte me vërtetimin e së drejtës së pronësisë.
Gjykata ka theksuar se nga arsyetimi i Apelit nuk mund të përcaktohej nëse pronësia konsiderohej e fituar përmes parashkrimit fitues, si pasojë e efekteve juridike të procedurës së shpronësimit, apo në bazë të ndonjë titulli tjetër juridik që buron nga veprimet dhe aktet administrative të periudhës përkatëse.
Supremja ka vënë në pah se, sa i përket parashkrimit fitues, mungonte edhe arsyetimi për legjitimitetin e pjesëmarrësve në raportin juridik civil, mbi bazën e të cilit pretendohet se paraardhësit e paditësve e kishin marrë pronën në posedim.
Duhet të sqarohet posedimi i pronës para vitit 1980
Në procedurën e mëparshme, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore dhe ua kishte njohur paditësve të drejtën e pronësisë mbi paluajtshmëritë e kontestuara.
Në arsyetimin e saj ishte trajtuar edhe pretendimi se paraardhësit e paditësve nuk ishin njoftuar për procedurat e shpronësimit dhe nuk ishin kompensuar për sipërfaqet përkatëse.
Megjithatë, sipas Gjykatës Supreme, disa çështje thelbësore nuk ishin sqaruar mjaftueshëm, përfshirë mënyrën se si banorët pretendonin se e kishin fituar pronësinë dhe çfarë kishte ndodhur me pronat gjatë procedurave të shpronësimit.
Supremja ka vlerësuar se nuk mjafton vetëm konstatimi se paraardhësit e paditësve i kishin poseduar paluajtshmëritë para vitit 1980 dhe se posedimi kishte vazhduar më pas te blerësit.
“Gjykata e shkallës së dytë ka qenë e obliguar të përcaktojë bazën juridike sipas së cilës koha e posedimit të paraardhësve mund të llogaritet në favor të pasardhësve, si dhe cilat kanë qenë kushtet ligjore për vazhdimësinë e këtij posedimi në raport me fitimin e pronësisë”, thuhet në aktvendim.
Gjykata Supreme ka theksuar se mbetet e paqartë se me cilin ligj dhe me cilat dispozita konkrete është vlerësuar posedimi i periudhës para vitit 1980, si dhe në çfarë mënyre është ndërthurur kjo periudhë me rregullimin juridik që ka hyrë në fuqi më vonë.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nga arsyetimi i Gjykatës së Apelit nuk mund të kuptohej nëse e drejta e pronësisë ishte njohur mbi bazën e parashkrimit fitues, për shkak të efekteve juridike të procedurave të shpronësimit, apo përmes një vlerësimi të kombinuar të këtyre rrethanave.
Për këtë arsye, Gjykata Themelore duhet ta shqyrtojë çështjen nga fillimi, duke analizuar bazën juridike të pretendimeve të palëve dhe rrethanat që lidhen me posedimin dhe shpronësimin, përpara se të marrë një vendim të ri.
Supremja kërkon shqyrtimin edhe të kërkesës së Mefail Cakollit
Një çështje tjetër që duhet të trajtohet gjatë rigjykimit është kërkesa për ndërhyrje në procedurë e parashtruesit Mefail Cakolli.
Komuna e Prishtinës, në vitin 2013, ia kishte këmbyer atij një pjesë të pronës në Bregun e Diellit me një pronë në Parkun Nacional të Gërmisë.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se duhet të sqarohet baza juridike mbi të cilën Gjykata e Apelit kishte dhënë vlerësime lidhur me vendimin e shpronësimit, ndonëse ligjshmëria e këtij vendimi nuk ishte objekt i shqyrtimit në këtë procedurë.
Sipas aktvendimit, kjo lidhet edhe me kalimin e afatit për kundërshtimin e vendimit të shpronësimit, si dhe me zhvillimin e procedurës gjyqësore.
“Për Gjykatën Supreme, nuk është e qartë se mbi cilin juridiksion gjykata e shkallës së dytë jepe vlerësime me ndikim për mënyrën e vendosjen në raport me vendimin e shpronësimit, përderisa nuk është objekt i vlerësimit të ligjshmërisë a’i vendim, për arsye të kalimit të afatit për ta kontestuar, por edhe për shkak të procedurës gjyqësore, dhe për rrjedhojë si mundet që akti administrativ përderisa nuk anulohet nga gjykata të konstatohet se nuk ka prodhuar efekt dhe pasoja juridike në raport me palët në proces gjyqësor, përderisa me atë vendim të organit administrativ është ndryshuar statusi i pronës”, thuhet në aktvendim.
Aktvendimi mban datën 22 shtator 2026 dhe është nxjerrë nga kolegji i Gjykatës Supreme, i kryesuar nga ish-kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj.
Me kthimin e lëndës në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë duhet të sqarojë bazën juridike të pretendimeve për pronësinë, efektet e procedurave të shpronësimit, vazhdimësinë e posedimit ndërmjet paraardhësve dhe pasardhësve, si dhe çështjet e tjera të ngritura nga Gjykata Supreme përpara se të marrë një vendim të ri.