Insajderi
Lajme

Tentim-vrasja në Podujevë: Të dëmtuarit thonë se s’e dinë motivin e sulmit, njëri pretendoi se dëshmitari tjetër u kanos

Insajderi
15 October 2026 - 21:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Tentim-vrasja në Podujevë: Të dëmtuarit thonë se s’e dinë motivin e sulmit, njëri pretendoi se dëshmitari tjetër u kanos
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarve Andi dhe Guri Mulolli, të cilët ngarkohen për tentim-vrasje në gusht të 2020-ës në Podujevë, të enjten u dëgjuan të dëmtuarit–dëshmitarë Fidan Boshnjaku dhe Lavdrim Dervisholli, të cilët deklaruan se ende nuk e dinë motivin se pse janë sulmuar nga të akuzuarit në ditën kritike.

“Unë kam dashtë me ditë motivin, por sot e asaj dite nuk e di. Kisha dashtë me ditë arsyen pse ka ndodhë. Nuk ka pasur arsye me ndodhë, me gjasë kanë qenë nën ndikim të drogave apo diçka”, tha i dëmtuari–dëshmitari Boshnjaku.

Boshnjaku pretendoi se Dervisholli është kanosur që të mos dëshmojë në seancë gjyqësore.Mirëpo, Dervisholli i mohoi këto pretendime, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ky punon berber dhe sebepët e këtyre kanë shkuar në lokal dhe i kanë thënë: mos shko, shtyje seancën, ndihmoju këtyre. Këtë ma ka treguar vetë Lavdrimi gjatë bisedave me të”, tha Boshnjaku.

Kurse gjatë dëshmisë së tij, Boshnjaku tha se në ditën kritike ishin në përballë-kalim me veturën “Mercedes”, ku ishin të akuzuarit Guri dhe Andi Mulolli dhe, sipas tij, Guri ka bërë me dorë për t’u ndalur dhe u është drejtuar me fjalët “hajdeni me ne se bëhet keq”.

Boshnjaku shtoi se kur ka dalë nga vetura, ka pasur diçka në dorë, por që nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur. Megjithatë, ai tha se armë ose thikë nuk ka pasur.

Më tej, Boshnjaku theksoi se para ditës kritike, nuk ka njohur të akuzuarit dhe shpeshherë në deklaratë në Polici i ka ngatërruar emrat e tyre. Sipas tij, ka njohur vetëm Guri Mulollin dhe ka pasur raporte të mira me të.

I pyetur se a ka shtënë i akuzuari Andi Mulolli në drejtim të tyre dhe a ka marrë ndonjë veprim kërcënues, Boshnjaku tha se nuk e ka parë dhe nuk i kujtohet.

Kurse i pyetur se kush e kishte plagosur Lavdrim Dervishollin, Boshnjaku u përgjigj se e plagosi i akuzuari Guri Mulolli.

“Unë mendoj se Lavdrimi kur u ardhë me më tërheq mua, u plagos nga arma e Gurit”, tha dëshmitari Boshnjaku.

Seanca pastaj vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit– të dëmtuarit Lavdrim Dervisholli, i cili tha se në ditën kritike i kishte takuar të dëmtuarit Fidan dhe Qëndrim Boshnjaku dhe i kishin propozuar ta afronin deri tek shtëpia e tij në fshatin Obranaçë.

Por, ai tha se rrugës ishin në përballë-kalim me të akuzuarit Mulolli kur ata kishin sinjalizuar me drita të makinës dhe me dorë nga i akuzuari Guri Mulolli për të ndjekur makinën e tij.

Dëshmitari shtoi se pasi ishin ndalë, Guri Mulolli kishte dalë i pari nga makina me një shufër të hekurit në dorë. E më pas, pasi kishin dalë nga makina të dëmtuarit Boshnjaku dhe Dervisholli, doli edhe Albi Mulolli me armë dhe kishte gjuajtur pa ndalë në drejtim të tyre.

Tutje, Dervisholli tha se së pari ishte plagosur Boshnjaku dhe pasi kishte shkuar për ta tërhequr, ishte plagosur edhe vetë ai në pjesën e krahërorit në anën e djathtë nga i akuzuari Albi Mulolli.

“Pastaj ne jemi larguar pak edhe pastaj e ka rrok Fidanin në këmbë plumbi, pastaj jam afruar me e largu Fidanin dhe më ka kap edhe mua plumbi në krah prapa në anë të djathtë derisa kam qenë duke u larguar. Jam plagosur nga Albi”, tha i dëmtuari Dervisholli.

I pyetur se a ka shtënë dikush tjetër përpos Albi Mulollit, Dervisholli tha se nuk e di dhe nuk ka parë sepse është larguar i pari nga vendi i ngjarjes.

Ai shtoi se Guri Mulolli me shufrën e hekurit e kishte dëmtuar makinën “BMW”, ku kishin qenë të dëmtuarit.

Gjithashtu, dëshmitari Dervisholli tha se janë pajtuar me të akuzuarit Mulolli sipas traditave tradicionale dhe i ka falë të akuzuarit Mulolli për plagosjen edhe pse ende edhe sot nuk e di motivin e sulmit ndaj tij.

Pastaj, me përfundimin e orarit të punës së gjykatës, seanca u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër me shfaqjen e video-incizimit të ditës kritike.

Ndryshe, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Albi Mulolli dhe Bledar Salihu, por për ta është veçuar procedura, për shkak se Gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e tyre në shqyrtim gjyqësor edhe pas disa përpjekjeve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 mars 2021, Albi dhe Andi Mulolli së bashku me Guri Mulollin dhe Bledar Salihun, po akuzohen se më 31 gusht 2020 në Podujevë kanë tentuar t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit Fitim Boshnjaku, Lavdrim Dervisholli dhe Q.B, si dhe kanë rrezikuar edhe jetën e të tjerëve.

Siç thuhet në aktakuzë, te vendi i quajtur Kutlesh, ka ardhur një veturë në përball-kalim dhe është kthyer në drejtim të të dëmtuarve dhe pastaj i ka tejkaluar, ku Guri e ka hapur xhamin dhe iu ka thënë “ndaluni qitu se kena me fol diçka”, në udhëkryq të dëmtuarit janë ndalë me veturë BMW, ndërsa i pandehuri Guri Mulolli së bashku me tre të pandehurit tjerë Albi, Andi Mulolli dhe Bledar Salihu kanë qenë me veturë Mercedes, të cilën e ka drejtuar i pandehuri Andi, nga vetura e të dëmtuarve dalin të dëmtuarit Fitim Boshnjaku dhe Lavdrim Dervisholli, ku i pari nga të pandehurit nga vetura e të pandehurve del i pandehuri Guri, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka kërcënuar të dëmtuarit dhe më pastaj nga vetura del i pandehuri Bledar me një shkop dhe niset në drejtim të të dëmtuarve. Në atë moment, shkopin nga dora ia merr i pandehuri Guri dhe po ashtu nga vetura del edhe i pandehuri Albi Mulolli, i cili me një armë automatike-kallashnikov gjuan në drejtim të tyre, duke i rrezikuar edhe kalimtarët e rastit.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Guri Mulolli së bashku me të pandehurin Albi Mulolli e hapin derën e veturës BMW ku ka qenë ulur i dëmtuari Q.B., dhe e ngrehin zvarrë për ta nxjerrë nga vetura, i cili në atë moment me një armë ka shtënë një herë në ajër, ku i pandehuri Albi shkon te vetura Mercedes dhe ia ndërron karikatorin kallashnikovit dhe fillon të gjuajë në drejtim të të dëmtuarve dhe në drejtim të veturës së tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i pandehuri Guri vazhdimisht e godet veturën e të dëmtuarve me shkop dhe pastaj shtie me armë ende të panjohur, në drejtim të të dëmtuarve Fitim Boshnjaku dhe Q.B., dhe në fund i pandehuri Andi, i cili gjatë kësaj ngjarje ka bërtitur “gjuaj gjuaj” dhe me një shpejtësi të madhe e nget veturën ku të pandehurit ikin nga vendi ngjarjes dhe me këtë rast dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin pësojnë dy të dëmtuarit- Fidan Boshjaku dhe Lavdrim Dervisholli.

Për këtë, të pandehurit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 dhe paragrafi 1 pika 1.11 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, gjithnjë sipas aktit akuzues, të pandehurit Albi dhe Andi Mulolli akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi pasurisë” nga neni 321, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së, pasi që kanë dëmtuar veturën BMW, pronë e të pandehurit Q.B., ku i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 13,203.12 euro.

I pandehurit Albi Mulolli, gjithashtu akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së – pasi në kohën, vendin dhe mënyrën si në pikën I të kësaj aktakuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët posedoi armë. 


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark