Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, 52 persona të dënuar po marrin pjesë në programe të risocializimit që synojnë t’u ndihmojnë në ngritjen e aftësive të tyre personale e sociale, me qëllim që të jenë më të përgatitur për t’u rikthyer në shoqëri pasi të përfundojnë dënimin.
Shërbimi Korrektues i Kosovës bëri të ditur përmes rrjetit social Facebook se mes këtyre moduleve po aplikohet edhe “Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”. Ky trajtim zhvillohet përgjatë gjashtë muajve dhe mbështetet në strukturën e modelit ndërkombëtar Duluth, i cili synon vetëdijësimin dhe korrigjimin e sjelljeve dhunuese.
“Ky program synon ndryshimin e modeleve të mendimit dhe sjelljes, zhvillimin e aftësive njohëse dhe marrjen e përgjegjësisë për sjelljet e dhunshme, duke promovuar marrëdhënie të shëndosha dhe një shoqëri pa dhunë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, të dënuarit po ndjekin programin “Menaxhimi i Zemërimit”, përmes të cilit mësojnë të kontrollojnë emocionet dhe impulset, si dhe të përballojnë konfliktet në mënyrë konstruktive.
Një tjetër program që po zbatohet është “Vendimmarrja Sociale”, i cili, siç thuhet, fokusohet në zhvillimin e mendimit kritik, reflektimit moral dhe aftësive për marrjen e vendimeve të përgjegjshme.
“Zbatimi i këtyre programeve realizohet nga stafi profesional për programe të risocializimit, përmes një qasjeje të strukturuar që mbështet ndryshimin pozitiv, përgjegjësinë personale dhe zhvillimin e shkathtësive të nevojshme për një jetë të përgjegjshme pas lirimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të investojë në rehabilitimin dhe risocializimin e të dënuarve, duke synuar jo vetëm përmbushjen e qëllimit të dënimit, por edhe krijimin e mundësive për riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri”, u tha në njoftim.