Insajderi
Lajme

Dhunuesit e grave po trajnohen në Burgun e Dubravës që të kenë sjellje të përmirësuar pas lirimit

Insajderi
16 October 2026 - 10:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dhunuesit e grave po trajnohen në Burgun e Dubravës që të kenë sjellje të përmirësuar pas lirimit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, 52 persona të dënuar po marrin pjesë në programe të risocializimit që synojnë t’u ndihmojnë në ngritjen e aftësive të tyre personale e sociale, me qëllim që të jenë më të përgatitur për t’u rikthyer në shoqëri pasi të përfundojnë dënimin.

Shërbimi Korrektues i Kosovës bëri të ditur përmes rrjetit social Facebook se mes këtyre moduleve po aplikohet edhe “Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”. Ky trajtim zhvillohet përgjatë gjashtë muajve dhe mbështetet në strukturën e modelit ndërkombëtar Duluth, i cili synon vetëdijësimin dhe korrigjimin e sjelljeve dhunuese.

“Ky program synon ndryshimin e modeleve të mendimit dhe sjelljes, zhvillimin e aftësive njohëse dhe marrjen e përgjegjësisë për sjelljet e dhunshme, duke promovuar marrëdhënie të shëndosha dhe një shoqëri pa dhunë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, të dënuarit po ndjekin programin “Menaxhimi i Zemërimit”, përmes të cilit mësojnë të kontrollojnë emocionet dhe impulset, si dhe të përballojnë konfliktet në mënyrë konstruktive.

Një tjetër program që po zbatohet është “Vendimmarrja Sociale”, i cili, siç thuhet, fokusohet në zhvillimin e mendimit kritik, reflektimit moral dhe aftësive për marrjen e vendimeve të përgjegjshme.

“Zbatimi i këtyre programeve realizohet nga stafi profesional për programe të risocializimit, përmes një qasjeje të strukturuar që mbështet ndryshimin pozitiv, përgjegjësinë personale dhe zhvillimin e shkathtësive të nevojshme për një jetë të përgjegjshme pas lirimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të investojë në rehabilitimin dhe risocializimin e të dënuarve, duke synuar jo vetëm përmbushjen e qëllimit të dënimit, por edhe krijimin e mundësive për riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri”, u tha  në njoftim.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark