Policia e Tiranës ka zbuluar një banesë në rrugën “Jargavani”, ku dyshohet se mbaheshin të magazinuara lëndë piroteknike të kontrabanduara, me qëllim shitjen e tyre për përdorim të kundërligjshëm. Në lidhje me rastin, është arrestuar në flagrancë një 24-vjeçar.
Gjatë kontrollit në katin e parë të banesës së të dyshuarit, policia ka sekuestruar 344 kuti me lëndë piroteknike të llojeve të ndryshme, vlera e të cilave llogaritet rreth 40 mijë euro.
Sipas policisë, 24-vjeçari dyshohet se ua furnizonte këto mjete personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë protestave të zhvilluara në tri ditët e fundit në Tiranë.
Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Fireworks”, pas kontrolleve dhe veprimeve operative të bazuara në informacionet e siguruara nga policia për një person që dyshohej se kishte magazinuar në banesën e tij sasi të konsiderueshme të lëndëve piroteknike, me qëllim përdorimin e tyre për veprimtari të kundërligjshme.
Njoftimi i Policisë
Policia ka bërë të ditur se, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe kontrolleve të zhvilluara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Fireworks”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë 24-vjeçari.
Nga kontrolli i ushtruar në katin e parë të banesës së tij, në rrugën “Jargavani”, u gjetën dhe u sekuestruan 344 kuti me lëndë piroteknike të ndryshme, të cilat dyshohet se i riu ua furnizonte personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se kontrollet dhe veprimet hetimore vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.